2013-12-12 12:26:54

Papa, një grupi ambasadorësh: turpi i trafikut të njerëzve, plagë e shoqërisë së kohëve tona


Trafiku i njerëzve është turp dhe krim kundër njerëzimit. Njeriu nuk mund të shitet e të blihet, si të ishte mall. Fjalë të fuqishme jehuan sot në Sallën Klementine të Vatikanit, ku Papa Françesku u takua me një grup ambasadorësh jo rezidentë, për paraqitjen e letrave kredenciale. Diplomatët nga Algjeria, Islanda, Danimarka, Lesoto, Palestina, Sierra Leone, Kepi i Gjelbër, Burundi, Malta, Suedia, Pakistani, Zambia, Norvegjia, Kuvajti, Burkina Faso, Uganda dhe Jordania e dëgjuan Atin e Shenjtë të fliste për një temë, që siç tha vetë, e shqetëson jashtëzakonisht. Njerëzit, theksoi Papa, nuk mund të përdoren si mjete, pa u respektuar dinjitetin e padhunueshëm:
“Është turp. Trafiku i njerëzve është krim kundër jerëzimit. Duhet t’i bashkojmë forcat për t’i çliruar viktimat e për ta ndalur këtë krim gjithnjë e më agresiv, që kërcënon, përveçse njerëz të veçantë, edhe vlerat bazë të shoqërisë e sigurinë e drejtësinë ndërkombëtare, si edhe ekonominë, indin familjar e vetë jetën shoqërore”.
Duke përshëndetur përfaqësuesit e 17 vendeve, Papa Françesku nënvizoi se trafiku i njerëzve kërcënon dinjitetin e personave:
“Është formë e vërtetë skllavërie , fatkeqësisht, gjithnjë e më e përhapur. Ka të bëjë me çdo vend, edhe ndër më të zhvilluarit e, prek njerëzit më të brishtë të shoqërisë: gratë e vajzat, fëmijët, njerëzit me të meta fizike, më të varfërit, ata, që vijnë nga shpërbërje familjare e shoqërore”.
Të krishterët, që pikërisht në këta njerëz shohin fytyrën e Krishtit, tha Ati i Shenjtë, por edhe të gjithë ata, që nuk besojnë në ndonjë fe, në emër të humanitetit, janë të thirrur të ndjejnë mëshirë për vuajtjet e të shfrytëzuarve të trafikut e të impenjohen për t’i liruar e për të shëruar plagët e tyre:
“Së bashku mund e duhet të impenjohemi, që të jenë të lirë e t’i jepet fund kësaj tregtie të shëmtuar. Flitet për miliona viktima të punës së detyruar, të skllavërisë, të trafikut për shfrytëzimin e krahut të punës e të seksit. S’mund të vazhdohet kështu: kjo përbën dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut dhe fyen dinjitetin e viktimave, përveçse është disfatë për bashkësinë ndërkombëtare”.
Të gjithë njerëzit vullnetmirë, besimtarë ose jo, shtoi Papa, nuk duhet të lejojnë që personat të trajtohen si sende, të mashtrohen, të dhunohen, të shiten disa herë, për qëllime të ndryshme e nganjëherë, edhe të vriten. Gjithsesi, viktimat e trafikut, nënvizoi Ati i Shenjtë, shkatërrohen fizikisht e mendërisht e përfundojnë të mënjanuara e të braktisura plotësisht:
“Duhet ta marrim përsipër bashkërisht përgjegjësinë e, nevojitet një vullnet më i vendosur politik për të fituar edhe në këtë front. Përgjegjësi për viktimat e trafikut, për mbrojtjen e të drejtave të tyre, për sigurimin e paprekshmërisë së tyre e të familjarëve, për të mos lejuar që të korruptuarit e kriminelët t’i shmangen drejtësisë e të bëjnë ç’të duan me njerëzit. Një ndërhyrje legjislative në vendet e nisjes, në ato të tranzitit e në vendet e mbërritjes, edhe për të lehtësuar emigracionin e rregullt, mund ta reduktojë problemin”.
Ati i Shenjtë denoncoi se trafiku i njerëzve është shpesh i lidhur me tregun e drogës, të armëve, me mafiet e të gjitha ngjyrave. Por, po aq shpesh, korrupsioni i funksionarëve publikë e madje, edhe i të impenjuarve në misionet e paqes, e ka bërë të vështirë luftën kundër tij. Prandaj, beteja kundër trafikut kërkon ndërhyrje edhe në nivelin kulturor e në komunikimet shoqërore, ka nevojë për etikë e moral të shëndoshë, theksoi Papa Françesku:
“Njeriu nuk duhet të shitet e të blihet kurrë si të ishte mall. Kush e përdor dhe e shfrytëzon, edhe jo drejtpërdrejt, bëhet bashkëfajtor në këtë abuzim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.