2013-12-12 12:28:28

Kardinali Christoph Schönborn në Milano: “Çështja e misionit është urgjente”


Katedralja e Milanos, mbushur plot, e priti kardinalin Christoph Schönborn, kryeipeshkëv i Vjenës, i ftuar nga kardinali i Milanos, Angelo Scola, për shkëmbimin e përvojës në fushën e rëndësishme të ungjillëzimit. Është fjala për programin baritor, titulluar: “Fusha është bota”. Kardinali foli për përvojën e Kishës së tij, në një vend si Austria, ku sot vetëm 38% e qytetarëve deklaron se është katolike e ku shumëkush pyet: si do të jetë Kisha në Austri pas 20-30 vjetësh?”.Misioni është urgjent - theksoi kardinali Schönborn, e për ta kryer, na duhet një ndarje e dhimbshme: duhet t’i themi lamtumirë së kaluarës, që nuk kthehet më; Kisha do të jetë ndryshe, por gjithnjë misionare. Foli edhe për një përvojë interesante si mbledhja e asambleve dioqezane me më se 1500 besimtarë, në Katedralen e Vjenës, jo për debat, por për të treguar secili, si e shikon veprimin e Zotit në bashkësinë e vet, duke e përqendruar vëmendjen më shumë mbi këtë veprim, sesa mbi problemet, që nuk mungojnë. E dhe shkëmbimi i përvojës ndërmjet ipeshkvijve, sy për sy, lidhur me ungjillëzimin, për kardinalin e Vjenës është me shumë rëndësi. Së fundi, Hirësia e Tij kujtoi misionin e rrugës: ndalem, tha, shpesh në rrugë. U jap kalimtarëve një dhuratë të vogël, me ndonjë fragment nga Shkrimi Shenjt, e edhe një buzëqeshje. Kthehem, pastaj, në shtëpi, me gëzim të pashpjegueshëm në zemër.








All the contents on this site are copyrighted ©.