2013-12-12 12:29:05

@Pontifex mbush një vit. Imz. Celli: vendim largpamës i Benediktit XVI


Më 12 dhjetor 2012 Benedikti XVI hapi faqen e tij në Twitter @Pontifex. Ngjarja me përmasa botërore, theksoi edhe një herë angazhimin e Kishës për të shpallur Ungjillin në rrjetin social. Që nga zgjedhja e tij në selinë e Shën Pjetrit, Papa Françesku e përdor me sukses këtë mundësi komunikimi, ku më se 11 milionë ndjekës nga gjithë bota lexojnë në 9 gjuhë mesazhet e tij. Kryetari i dikasterit të Vatikanit për Komunikimet Shoqërore Imz. Claudio Maria Celli dha këtë vlerësim:
Kur Papa Benedikti XVI dha tweet-in e parë, qe krejtësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e atij momenti. Atë ditë i thashë: ‘Atë i Shenjtë, ndërsa ju po jepnit tweet-in e parë, më erdhi ndër mend Piu XI, duke dhënë mesazhin e tij të parë me anë të Radio Vatikanit’. Papa më shikoi me buzëqeshje e më tha: “A e di se edhe unë e kam menduar këtë?”. (...) E sot, me Papën Francesku, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ai vendim, i marrë para një viti, qe largpamës, pozitiv. Sot kemi 11 milionë ndjekës, por ajo që na intereson më shumë është se të paktën 60 milionë vetë, me anë të “rituitimit” e marrin një fjalë nga Papa. (...) Edhe një pikë uji e freskët, pra, siç është tweet-i – 140 shkronja – e ka një vlerë, një rëndësi.
Cili është, sipas jush, kontributi i veçantë që po i jep “Pontifex” orvatjes ungjillëzuese të të ashtuquajturit kontinent digjital?
Edhe në këtë kontinent duhet të jehojë fjala e Jezusit (...) Në kontekstin e kontinentit digjital duhet t’i japim jehonë kësaj fjale. (...) Papa Benedikti thoshte se problemi nuk është citimi formal i Ungjillit, por në rrjet, në këtë mjedis, duhet të gjenden mendime dhe përvoja personale. Do të thosha se nxënësit e Zotit duhet ta bëjnë të pranishme në këtë kontekst sintezën ndërmjet fesë dhe jetës së tyre.
Në Evangelii Gaudium Papa Françesku na bën thirrje të jemi të guximshëm dhe krijues, për sa i përket gjuhës. A mund të ndihmojnë rrjetet sociale në këtë drejtim, sipas jush?
Mendoj se sfida më e madhe për ne, sot, është ajo e shpalljes së Ungjillit me atë gjuhë që mund ta kuptojnë burrat e gratë e sotme . (...) Papa thotë se rrezikojmë të shpallim një “Hyj të rremë”, edhe pse në zemër kemi qëllimet më të mira. Nganjëherë rreziku gjendet pikërisht në faktin se gjuha e ndryshon mesazhin. Prandaj, ja, bëhet e nevojshme që të përdorim gjuhën që mund të kuptojnë njerëzit e sotëm.
Ditët e kaluara, duke folur në mbledhjen e përgjithshme të laikëve, Papa Françesku tha se prania e Kishës në internet është e domosdoshme, sepse teknologjia nuk mjafton...
Mendoj se Papa na e kujton të gjithëve se sot komunikimi nuk është vetëm orvatje teknologjike. Mendoj se duhet të rizbulojmë se në themel të komunikimit është vizioni i Kishës dhe Papa Françesku na fton të gjithëve për t’u kthyer tek vështrimi baritor, në kuptimin që jemi të thirrur t’i japim një fytyrë kësaj Kishe, një fytyrë më të vëmendshme, më afër njerëzve, që sot ecin nëpër rrugët e vështira të kësaj bote. Papa Françesku na fton t’i japim jetë kulturës së takimit. Kjo është tema që ai ka zgjedhur për Ditën botërore të Komunikimeve: “Komunikimi për kulturën e takimit”. ...








All the contents on this site are copyrighted ©.