2013-12-11 16:41:50

Papa në audiencën e përgjithshme: kush ia hap zemrën Zotit, nuk i trembet gjykimit. Të marrë fund padrejtësia e urisë


Gjyqi i mbramë i Zotit nuk e tremb njeriun, që zgjedh rrugën e dashurisë së Tij. Ky ishte mendimi kryesor, që përshkoi tejendanë katekizmin e Papës Françesku, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte katekizmi i fundit i ciklit, kushtuar shpjegimit të lutjes kryesore të fesë së krishterë, Besojmës. Papa e përfundoi audiencën me një thirrje për t’i dhënë fund urisë, duke e shikuar si një nga padrejtësitë më të mëdha në botën e sotme.RealAudioMP3

Siguria e parë: gjyqi i mbramë do të jetë, para së gjithash, një ‘përqafim’ me Atin, sepse Zoti është Atë, që i do bijtë e vet, nuk dëshiron t’i shikojë në bankën e të akuzuarit.
Siguria e dytë, që varet nga e para: nëse Zoti nuk gjykon, dënimi do të jetë vetëdënim, të cilin ia jep vetvetes ai, që nuk e pranon Zotin.
Përballë 30 mijë besimtarëve dhe shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në një të mërkurë dimërore, ndriçuar nga dielli, që ndriste shumë e ngrohte pak, Papa Françesku shqyrtoi, kështu, një mister, i cili qëndron përmbi ne e shpesh edhe na tremb: misterin e rikthimit të Krishtit e të gjyqit të mbramë. Frika, shpjegoi thjeshtësisht Papa, lind e zë rrënjë posaçërisht në zemrat, që gjatë jetës, në mënyra nga më të ndryshmet, nuk deshën ta pranojnë Zotin. Por, kujtoi në vijim, asgjë nuk është e humbur, deri në çastin e fundit të jetës:
Nëse ne ia mbyllim zemrën dashurisë së Jezusit, s’bëjmë tjetër, veçse ta dënojmë vetveten. Shëlbim do të thotë t’ia hapësh zemrën Zotit, e Ai na shëlbon; nëse jemi mëkatarë – e jemi të gjithë – t’i kërkojmë ndjesë. E po të shkojmë tek Ai me dëshirën për t’u përmirësuar, Zoti na fal. Por për këtë, duhet t’ia hapim zemrën dashurisë së Jezusit, që është më e fortë se çdo forcë; dashuria e Krishtit është e madhe, e mëshirshme, është dashuri, që di të falë; por ti duhet ta hapësh zemrën, të pendohesh, ta paditësh veten për sjelljet, që e di se nuk janë të mira, e megjithatë, i përsërit”.
Duhet pasur mirë parasysh, shtoi Ati i Shenjtë, se gjyqi i mbramë nuk është larg. Është këtu. Sot. Tani, në çdo çast të jetës. Prandaj të rrimë zgjuar, t’i shoshitim mirë mendimet tona, të ruhemi nga mëkati e kështu do të mund të shijojmë që mbi këtë tokë, ngrohtësinë dhe shkëlqimin e fytyrës së Zotit, të vetëdijshëm se, po t’ia hapim zemrën, në çastin e gjykimit, do të na presë përqafimi i Jezusit:
Kështu të rrok Jezusi. Nëse mendojmë për gjyqin në këtë perspektivë, çdo frikë e mëdyshje zhduket, duke i hapur rrugën pritjes së një gëzimi të pacak: çastit, në të cilin do të gjykohemi e, më në fund, do të jemi gati të vishemi me Lumninë e Krishtit, si me një pekt dasmor, e të nisemi për gosti, simbol i bashkimit të plotë e përfundimtar me Zotin”.
Po ka edhe më. Në atë çast nuk do të jemi vetëm. Do të na shoqërojnë aradhet e shenjtorëve, e atyre që, pohoi Papa duke cituar Shën Palin, do të gjykojnë botën:
“Sa gjë e bukur kur e di se në këtë ngushticë, përveç Jezu Krishtit, Paraklitit tonë, Avokatit tonë pranë Atit, do të mund të shpresojmë edhe në ndërmjetësimin dhe dashamirësinë e vëllezërve tanë të shumtë, që na paraprinë në udhën e fesë, fljuan jetën për ne e vijojnë të na duan në mënyrë të parrëfyeshme. Ç’ngushëllim i pakufishëm për zemrën tonë, kjo siguri”.
Një siguri, që Papa Françesku e përshkroi, si të donte t’ia dikonte në shpirt të gjithë njerëzve kur, në përfundim, duke përmbledhur katekizmin në gjuhë të tjera, përsëriti pesë herë rresht: “Përpara!”. Si të donte t’i siguronte besimtarët se në fund të rrugës, do të gjejnë pikërisht atë, që ua përshkroi gjatë këtij katekizmi, kur u hapi para syve, gjyqin e mbramë:
“Përpara! Përpara, duke menduar se ky gjyq nis tani, ka nisur këtë ças! Përpara, duke ia hapur zemrën Jezusit e shëlbimit të tij! Përpara, pa frikë, sepse dashuria e Zotit është më e madhe e po t’i kërkojmë ndjesë për mëkatet tona, Ai na fal. Kështu është Jezusi. Përpara, pra, me këtë siguri, që do të na çojë në lumninë e qiellit”.
Para se ta mbyllte audiencën e përgjithshme, Papa Françesku u kthye thekshëm tek tema e luftës kundër urisë në botë, duke kujtuar Fushatën e Caritas Internationalis, nisur dje, me temë: “Një familje e vetme njerëzore. Ushqim për të gjithë!”:
Ta kujtojmë? Ta përsërisim së bashku? ‘Një familje e vetme njerëzore, ushqim për të gjithë!’. Shkandulli i miliona njerëzve, që vuajnë nga uria, nuk duhet të na paralizojë, por të na nxisë për të vepruar të gjithë: individë, familje, bashkësi, institucione, qeveri, për ta zhdukur këtë padrejtësi. Ungjilli i Krishtit na tregon rrugën: të ecim me besim në Provaninë e Atit e ta ndajmë bashkë kafshatën e bukës së përditshme, pa e shpërdoruar. E inkurajoj Karitasin për ta çuar përpara këtë impenjim, e të gjithë, për t'u bashkuar në ‘këtë dallgë’ solidariteti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.