2013-12-11 15:27:47

P. Kovalçik, për 20 vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: “Besoj në Jezu Krishtin”


Vijojmë ciklin kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, në 20-vjetorin e botimit, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovalçik. Reflektimi i sotëm, i 24-ti, i jep përgjigje njërës nga pyetjet themelore të fesë së krishterë: “Ç’do të thotë besim në Krishtin?”. Titullohet: “Besoj në Jezu Krishtin”.RealAudioMP3

Të krishterët besojnë në Jezu Krishtin. Por ç’do të thotë besim në Krishtin? Mund të thuhet se e gjithë jeta e Kishës s’është tjetër, veçse përgjigje, që i jepet, në mënyra të ndryshme, pikërisht kësaj pyetjeje. Kur Jezusi i pyeti dishepujt: “Ju, kush thoni se jam?”, Shën Pjetri Apostull u përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. Si pyetja, ashtu edhe përgjigjja, vijojnë të përsëriten në rrjedhë shekujsh.

Judenjtë donin ta vrisnin Jezusin, siç lexojmë në Ungjillin e Gjonit, sepse jo vetëm që e prishte të shtunën, por edhe Hyjin e quante Atë, duke e barazuar veten me Të (5-18). Kur Jezusi tha: “Para se të ishte Abrahami, Unë jam” (Gjn 8,58), ata që e dëgjonin nuk kishin më asnjë dyshim se Mësuesi i Nazaretit e mbante veten të barabartë me Hyjin. Edhe kur, për shembull, Jezusi tha se mund t’i falte mëkatet, disa skribë menduan: “Ç’po thotë ky kështu? Po blasfemon! Kush mund t’i falë mëkatet, përveç një Hyji të vetëm?” (Mk 2,7).
Dëshmia e Besëlidhjes së Re na detyron të zgjedhim: ose ta pranojmë se Jezusi është Hyj Shëlbues, ose ta mohojmë. Duke dëgjuar fjalët e Jezusit, nuk mund ta mohojmë natyrën e tij hyjnore e, njëkohësisht, të mos pohojmë se ai ishte njeri i madh, që thoshte të vërtetën.
Në Katekizëm gjejmë katër emrat, me të cilët thirret Mësuesi i Nazaretit: Jezus, Krisht, Bir i Hyjit, Zot. “Jezus” do të thotë “Zoti që shëlbon”; “Krisht”, do të thotë “i Vajuari”, domethënë “Mesia” i premtuar nga Besëlidhja e Vjetër. “Biri i Hyjit” tregon lidhjen e pashembullt e të amshuar të Jezusit me Hyjin Atë. Ndërsa emri “Zot”, sovranitetin e Hyjit ( cfr KKK 452-455).I krishteri e dëshmon Jezu Krishtin si Zot i vërtetë e njeri i vërtetë dhe beson se pa Jezusin njeriu nuk mund të shëlbohet. Vetëm ky emër e hap portën e jetës së pasosur, edhe për ata, që nuk janë të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.