2013-12-11 16:45:39

Atë Hans Zollner: krijimi i Komisionit për mbrojtjen e fëmijëve, tregues i impenjimit të Kishës në luftën kundër shpërdorimeve


Akti i parë i Komisionit të tetë kardinjave, që u mblodh kohët e fundit në Vatikan, ishte propozimi për krijimin e një Komisioni për mbrojtjen e të miturve nga shpërdorimet. Propozimi u miratua menjëherë nga Papa Françesku. Për të na folur më gjerësisht për këtë argument, ftuam në mikrofonin tonë Atë Hans Zollner, jezuit, drejtor i Institutit të Psikologjisë dhe përgjegjës i Qendrës për mbrojtjen e fëmijëve në Universitetin Papnor Gregorian. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3
Vendimi i Papës Françesku për të themeluar një Komision të veçantë në fushën e mbrojtjes së të vegjëlve dhe të viktimave nga shpërdorimet është me rëndësi të madhe për gjithë Kishën. Kryesisht, sepse është vendimi i parë konkret i “Këshillit të tetëshes”, grupit të kardinajve, që e ndihmojnë Papën në qeverisjen e Kishës e në reformimin e Kuries. Siç tha kardinali O’Malley, kur dha lajmin, prelatët nuk ishin akoma të bindur plotësisht për komisionin, por Ati i Shenjtë e pranoi propozimin me entuziazëm e vendosmëri, duke treguar se Papa dhe Kisha universale e marrin shumë seriozisht temën e parandalimit të shpërdorimeve me të miturit. Është edhe shenjë e fuqishme brenda e jashtë Kishës. Brenda, për të gjithë ata, që punojnë prej kohësh në fushën e parandalimit të shpërdorimeve, si edhe për ata, që nuk merren me to e nuk duan ta pranojnë se është urgjente të impenjohen në kujdesin për viktimat. Jashtë, është shenjë e rëndësishme për mediat e për të gjithë ata, që veprojnë në këtë fushë. Kisha është në vijën e parë të frontit.
Papa Françesku krijoi Komisionin, por lufta kundër shpërdorimeve me të miturit ka filluar që më parë, sidomos me Benediktin XVI, apo jo...
Kisha universale e ka marrë seriozisht këtë detyrë, që nga viti 2000, kur kardinali i atëhershëm Racinger, si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, ia besoi asaj përgjegjësinë e ndjekjes penale të rasteve të shpërdorimeve nga anëtarët e klerit. Që nga viti 2005, si Papë, Benedikti XVI është takuar me viktimat e shpërdorimeve në çdo udhëtim ndërkombëtar e ka miratuar dokumente, të cilat e kanë përforcuar legjislacionin e brendshëm të Kishës në këtë fushë. Sot, këto norma janë nga më të rreptat në botë. Në vitin 2012, Jozef Racinger na autorizoi të bënim një simpozium të madh ndërkombëtar e kishtar në Gregoriana për të përcaktuar linjat e parandalimit të shpërdorimeve. Kur në janarin e kaluar, pak para se të tërhiqej, i dorëzuam aktet e këtij kuvendimi, Racinger ishte shumë i interesuar e na nxiti të vazhdojmë. Mund të themi se gjatë papnisë së tij, Benedikti XVI bëri gjithçka mundi për të mbështetur zbatimin e programeve kundër shpërdorimeve në vende si Brazili, Afrika e Jugut e Filipinet, ku Kisha Katolike është impenjuar prej kohësh në këtë fushë.
Qendra juaj, në Universitetin Gregorian, ka tashmë një përvojë të gjatë. Si do të bashkëpunoni me Komisionin?
Lista e detyrave të Komisionit, siç e tha kardinali O’Malley, është mjaft e gjatë dhe impenjative. Janë veprimtari, që synojnë verifikimin e vënies në jetë të objektivave, të cilat e kapërcejnë informimin, apo formimin, duke i tejkaluar kështu, kompetencat e qendrës sonë. Bashkëpunimi me autoritetet civile, rishikimi i direktivave të konferencave ipeshkvnore dhe të urdhërave rregulltare në fushën e luftës kundër shpërdorimeve, janë detyra shumë të vështira. Sigurisht, do të jetë e nevojshme një strukturë ndihmëse, që mund ta mbikqyrë procesin në vende të ndryshme, sidomos aty ku mungojnë fondet, duke dhënë këshilla për zbatimin e praktikave më të mira. Uroj, që gjithsesi, të mund të bashkëpunojmë me Komisionin.







All the contents on this site are copyrighted ©.