2013-12-10 14:53:55

Papa: Dera e Zotit është gjithmonë e hapur, i krishteri të mos e humbë kurrë shpresën


Kur na afrohet Jezusi, na e hap gjithmonë derën e na jep shpresë. Kështu tha Papa në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa theksoi se nuk duhet të kemi frikë nga ngushëllimi i zotit, përkundrazi, duhet ta lypim e ta kërkojmë. Ai na bën të ndjejmë mirësinë e Hyjit.
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim”. Papa Françesku e filloi homelinë duke u ndalur tek një pjesë e Librit të Profetit Isaia, libri i ngushëllimeve të Izraelit. Zoti, vërejti Ati i Shenjtë, i afrohet popullit për ta ngushëlluar, për t’i dhënë paqe. Ky veprim pajtues është aq i fortë, sa i ripërtërin të gjitha gjërat. Zoti rikrijon me të vërtetë gjithçka:
“I rikrijon gjërat. E Kisha nuk lodhet së thëni se ky rikrijim është më i mrekullueshëm se krijimi. Zoti rikrijon në mënyrë më të mrekullueshme. E kështu e viziton popullin e vet: duke rikrijuar, me atë fuqi. E gjithmonë populli i Hyjit e ka pasur këtë ide, këtë mendim, që Zoti do të vijë për ta vizituar. Le të kujtojmë fjalët e fundit që u tha Jozefi vëllezërve të vet: ‘Kur t’ju vizitojë Zoti, merrni me vete eshtrat e mia’. Zoti do ta vizitojë popullin e vet. Kjo është shpresa e Izraelit. Por, do ta vizitojë me këtë ngushëllim”.
“E ngushëllimi – vijoi Papa – është rikrijimi i gjithçkaje jo një herë, por shumë herë, me universin dhe me ne”. Kjo ribërje, e Zotit, tha Ati i Shenjtë, ka dy përmasa që duhen nënvizuar: “Kur Zoti na afrohet, na jep shpresë; Zoti ribën me anë të shpresës; e hap gjithmonë një derë. Gjithmonë”. Kur zoti na afrohet, “Nuk i mbyll dyert, por i hap”. Zoti, “duke u afruar, na jep shpresë, shpresën që është forca e vërtetë në jetën e krishterë. Është një hir, është një dhuratë”:
“Kur i krishteri e harron shpresën, ose, më keq, e humb shpresën, jeta e tij nuk ka kuptim. Është njësoj sikurse jeta e tij të ishte para një muri: asgjë. Por Zoti na ngushëllon e na ribën të ecim përpara me anë të shpresës. Këtë e bën duke i ndenjur afër secilit në mënyrë të veçantë, sepse Zoti e ngushëllon popullin e vet dhe na ngushëllon secilin prej nesh. Leximi i sotëm përfundon bukur: ‘Ai e kullot grigjën si bariu, dhe me krahun e vet e bashkon; i mbart qengjat në kraharor dhe u prin me ëmbëlsi deleve nëna’. Shëmbëllimi i mbartjes së qengjave në kraharor dhe e udhëheqjes së deleve nëna: kjo është ëmbëlsia. Zoti na ngushëllon me ëmbëlsi”.
Hyji, që është i fuqishëm, vijoi, ‘Nuk ka frikë nga ëmbëlsia”. “Ai bëhet vetë ëmbëlsi, bëhet fëmijë, bëhet i vogël”. Jezusi vetë e ka thënë në Ungjill: Ky është vullneti i Atit, që të mos humbet asnjë nga këta të vegjlit. Në sytë e Zotit “secili prej nesh është shumë, shumë i rëndësishëm. E Ai na jep vetveten me ëmbëlsi”. E kështu na çon përpara, duke na dhënë shpresë. Kjo ka qenë puna kryesore e Jezusit, tha Papa: Ai, gjatë 40 ditëve ndërmjet ringjalljes dhe ngjitjes në qiell, i ngushëlloi dhe u ndenji afër apostujve:
“Afrohet dhe jep shpresë. Afrohet me ëmbëlsi. Le të mendojmë ëmbëlsinë që pati me apostujt, me Madalenën, me nxënësit e Emausit. Afrohet me ëmbëlsi: ‘Më jep të ha’. Me Tomën: ‘Vëre gishtin këtu’. Gjithmonë kështu është Zoti. Kështu është ngushëllimi i Zotit. Zoti na dhëntë të gjithëve hirin që të mos kemi frikë nga ngushëllimi i Zotit, që të jemi të hapur: që ta kërkojmë, ta lypim, sepse është ngushëllimi që na jep shpresë dhe na bën të ndjejmë ëmbëlsinë e Hyjit Atë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.