2013-12-09 15:40:22

Papa kremtoi me Patrikun Sidrak: paqe e liri fetare në Lindjen e Mesme; mjaft më me përçarje!


T’u jepet fund përçarjeve dhe armiqësive në Tokën e Shenjtë e në Lindjen e Mesme! Është thirrja që bëri sot paradite Papa Françesku, në Shtëpinë e Shën Martës.Meshën e bashkëkremtoi me Patrikun e koptëve katolikë të Aleksandrisë, Imzot Ibrahim Isaac Sidrak, me rastin e shpalljes publike të ‘bashkimit kishtar’ me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Papa pohoi edhe një herë se e ndjen veten shumë pranë të krishterëve të Egjiptit, që jetojnë në atmosferën e pasigurisë e të dhunës. Prej këndej, thirrja e fuqishme për lirinë fetare në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ipeshkvi i Romës e Patriku i Aleksandrisë së bashku, në shenjë bashkimi kishtar e në lutje për paqen në Lindjen e Mesme! Në Shtëpinë e Shën Martës u jetua, sot paradite, një çast tejet shprehës bashkimi shpirtëror. Në homelinë e këtij kremtimi, mendimi i Papës Françesku shkoi menjëherë tek besimtarët koptë, të cilëve iu drejtua me fjalët e Izaisë, nga Leximi i Parë, fjalë që kujtojnë rizgjimin e zemrave, në pritje të Zotit:
“Inkurajimi për ata, të cilët i ka lëshuar zemra, na duket sikur u drejtohet njerëzve që, në tokën tuaj të dashur egjiptiane, jetojnë në atmosferë pasigurie e dhune, nganjëherë për shkak të fesë së tyre të krishterë. ‘Zemër! Mos u frikësoni!’: ja fjalët ngushëlluese, të përfocuara përmes solidaritetit vëllazëror. Falënderoj Zotin për këtë takim, që më krijon mundësinë ta forcoj shpresën, tuajën e tonën, sepse është e njëjta shpresë”.
Ungjilli, vijoi Papa, na paraqet Krishtin, që e mund paralizimin e njerëzimit. E nuk duhet harruar se paralizimi i ndërgjegjeve është sëmundje ngjitëse. Në bashkëpunim me varfërinë e historisë e me mëkatin tonë, shtoi Papa, mund të përhapet e të depërtojë në strukturat shoqërore e në bashkësi, duke arritur deri atje, sa të bllokojë popuj të tërë. Por, inkurajoi Papa, ndërhyrja e Krishtit mund ta kthejë përmbys situatën: “Ngreju e ec!”:
Të lutemi me besim, që në Tokën e Shenjtë e në të gjithë Lindjen e Mesme paqja të ngrihet gjithnjë në këmbë, pas rrëzimeve tepër të shpeshta e nganjëherë, edhe tepër dramatike. Uroj të marrin fund njëherë e përgjithmonë armiqësitë e përçarjet. Të rifillojnë sa më shpejt marrëveshjet për paqe, shpesh të paralizuara nga interesa të kundërta e të errëta. Të jepen, më në fund, garanci reale për lirinë fetare të të gjithëve, njëherësh me të drejtën që të krishterët të jetojnë në paqe atje ku u lindën, në atdhe, të cilin e duan, si nënshtetas të tij qysh prej dymijë vjetësh, për të kontribuar, si gjithnjë, në shërbim të së mirës të të gjithëve”.
Papa kujtoi, më pas se edhe Jezusit, me Familjen Shenjte, iu desh të ikte nga atdheu e të strehohej në tokën bujare të Egjiptit. Iu lut, prandaj, Zotit, t’i ruajë egjiptianët, që enden nëpër udhët e botës, në kërkim të dinjitetit e të sigurisë. E akoma, inkurajimi:
“E të shkojmë gjithnjë përpara, duke kërkuar Zotin, duke kërkuar rrugë të reja për t’iu afruar Zotit. E nëse është e nevojshme, të hapim edhe një vrimë mbi çati, për t’iu afruar të gjithë Zotit; e imagjinata jonë krijuese e dashurisë të na prijë në rrugët e takimit, të vëllazërisë, në rrugët e paqes”.
Nga ana e tij, Patriku Sidrak shprehu gëzimin për mundësinë, që iu krijua, të kremtonte me Papën dhe nënvizoi se Kisha në Egjipt, në këtë çast delikat historik, ka nevojë për mbështetje atërore nga Pasardhësi i Shën Pjetrit. E ashtu si Papa, u lut edhe ai për paqen:
“Drita e Krishtlindjes qoftë yll, që tregon rrugën e dashurisë, të unitetit, të pajtimit e të paqes, dhurata për të cilat toka ime ka aq shumë nevojë. Duke kërkuar bekimin tuaj, At i Shenjtë, të presim në Egjipt!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.