2013-12-09 09:25:20

Liturgjia e Fjalës së Zotit - Zoja e Papërlyer, e diela II e Ardhjes


Kur Hyji krijoi burrin dhe gruan, thotë libri i Zanafillës, “Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira” (Zan 1,3).RealAudioMP3
Mirësia e Hyjit është zanafilla e njeriut, burimi i qenies së tij. Tregimet e mëtejshme të zanafillës na tregojnë rënien e njeriut dhe hyrjen e së keqes në botë. E keqja e ka mjegulluar njohjen e Hyjit tek njeriu dhe e ka vënë njeriun në udhën e fshehjes nga Hyji: “Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe u tremba, se jam lakuriq e u fsheha” (Zan 3,10), i thotë Adami Hyjit në leximin e parë.
E mira dhe e keqja janë parë shpesh herë, përgjatë historisë, si dy forca që luftojnë me njëra-tjetrën dhe herë fiton njëra e herë fiton tjetra. Fushëbeteja më egër e kësaj ndeshjeje luftarake është shpirti i njeriut. Ky botëkuptim i të keqes dhe të mirës nuk përkon me zbulimin biblik. Tregimi i Zanafillës e paraqet të keqen jo si pushtet, por si gënjeshtër: “Më gënjeu gjarpri” (Zan 3,13) – thotë Eva. I njëjti tregim kumton të ardhmen: “Fara e saj (e gruas) do të ta shtypë kokën” (Zan 3,15).
Gënjeshtra e çon njeriun larg Hyjit dhe, në këtë largësi, njeriu humb vetëdijen për identitetin dhe zanafillën e vet. E mendon vetveten si qenie pa Hyj. Kjo gënjeshtër dhe ky mendim e shtyjnë njeriun ose të krijojë hyjni të rreme, idhuj, që e skllavërojnë, ose të mendojë si ai vetë, njeriu, është hyj. Megjithatë, asnjë nga përgjigjet, që i ka dhënë njeriu vetvetes rreth Hyjit dhe qëllimit të ekzistencës së vet, nuk ia kanë sjellë lumturinë dhe paqen. Duke humbur Hyjin, njeriu ka humbur burimin e lumnisë. Ky është mëkati zanafillor.
Në gjendjen e vet mëkatare, njeriu nuk mund ta shpëtojë vetveten, por mund ta dëshirojë shpëtimin, që vjen vetëm prej Hyjit. “Hyji dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, tek një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.” (Lk 1, 26-27). Ky fragment nga Ungjilli sipas Lukës na tregon si ndodhi ngjizja e Jezusit, ndërsa e kremtja e kësaj liturgjie na tregon se Nëna e Jezusit është krijesa që Hyji e ruajti nga e keqja, për të nisur me të një histori krejtësisht të re, të themeluar në mirësinë e tij të amshuar. Mirësia hyjnore krijon e rikrijon. E keqja nuk mund të krijojë, por vetëm të ndotë e të rrënojë. Në virgjërën Mari shkëlqen njeriu i rikrijuar. Shpëtimi, që ka sjellë Krishti, është pikërisht ky rikrijim. Toka, prej nga Hyji nxori Adamin e parë, është toka e paprekur nga e keqja. Toka, prej ku Hyji nxjerr Adamin e ri është gjithashtu tokë e paprekur nga e keqja, është kraharori i shenjtë i virgjërës së paprekur nga mëkati zanafillor, i Virgjërës së ngjizur pa mëkat.
*** *** ***

Sot është e kremtja e Zojës së Papërlyer. Në Angli dhe në Normandi festa e ngjizjes së Marisë është kremtuar që në shekullin XI. Atëherë i kushtohej vëmendje e veçantë rrethanave të mrekullueshme të lindjes së saj, si, për shembull, faktit që Ana ishe beronjë. Përtej kësaj ane tregimtare, Shën Anselmi nxori në pah madhështinë e misterit që realizohet në ngjizjen e Marisë: ruajtja e saj nga mëkati.
Në vitin 1443 koncili i Bazelit e shqyrtoi këtë mister si një të vërtetë të fesë dhe Papa Piu IX e shpalli dogmë në vitin 1854.
Hyji e ka zgjedhur Marinë për shëlbimin e njerëzimit, sepse ka dashur që Shpëtimtari të jetë “biri i njeriut”. Për këtë arsye Marisë i përshtatet plotësisht fjala që Hyji i drejtoi tunduesit: “Do të vë armiqësi ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës tënde e farës së saj: ajo do të ta shtypë kryet” (Zan 3, 15). Maria njihet si Eva e re, nëna e të gjithë të gjallëve” (leximi i parë). Shfaqet përkrah Krishtit, Adamit të Ri, prandaj na paraqitet si ajo që na ndihmon të zbulojmë e të respektojmë vendin e gruas në shpëtimin e njerëzimit. Na kujton dhe nxjerr në pah vendin dhe rolin e Virgjërës, të nuses, të nënës, të së vesë, në shoqëri, në Kishë e në botë; ajo merr në mbrojtje dinjitetin e gruas kudo që vihet në rrezik.
*** *** ***

Abrahami ngjizi Isakun, falë besimit në premtimin e Hyjit, dhe “u bë ati i shumë popujve” (shih Rm 4,18-22). Po ashtu Maria ngjizi Jezusin, me anë të fesë. Ngjizja virgjërore e Jezusit qe vepër e Shpirtit të Shenjtë, por, nëpërmjet fesë së Marisë. Është gjithmonë Hyji ai që vepron, por, nëpërmjet bashkëpunimit të njeriut. Të besosh do të thotë t’i përgjigjesh me besim Fjalës së Hyjit, t’i pranosh shestimet e tij si të ishin tuat dhe t’i nënshtrohesh me bindje vullnetit të tij, për të bashkëpunuar me të. Feja kërkon gjithmonë besimin në Hyjin dhe shpalljen e asaj në të cilën besohet, sepse “me zemër besohet për të arritur drejtësinë dhe me gojë shpallet feja, për të marrë shëlbimin” (Rm 10,10). Maria, sapo e vërtetoi se Fjala e Hyjit ishte e vërtetë, besoi në ngjizjen virgjërore të Jezusit dhe besoi edhe në vullnetin e Hyjit për t’i shpëtuar mëkatarët; e dëshiroi këtë gjë dhe u bashkua me planin hyjnor, duke u përfshirë plotësisht: “Ja, unë jam shërbëtorja e Zotit, më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,48). Kisha e ka për detyrë të vijojë në botë misionin amnor të Marisë, misionin për t’i dhënë botës Shpëtimtarin. I krishteri i sotëm duhet ta përvetësojë planin e Hyjit, “i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen” (1Tim 2,4), duke e shpallur shpëtimin e vet dhe duke u përfshirë plotësisht në përçimin e shpëtimit tek të tjerët, sepse “kështu lavdërohet Ati im: të jepni fryte e të bëheni nxënësit e mit” (Gj 15,8).
()

Nga “Fjalimet” e Shën Anselmit, ipeshkëv

Qielli, yjet, toka, lumenjtë, dita, nata e të gjitha krijesat që i nënshtrohen pushtetit të njeriut apo i bëjnë dobi atij, ngazëllehen, o Zojë, se, përmes teje, janë ripërtërirë me shkëlqimin që kishin humbur dhe kanë marrë hirin e ri e të patregueshëm. Si të vdekura ishin të gjitha gjërat, sepse kishin bjerrë denjësinë zanafillore për të cilën ishin caktuar. Pikësynimi i tyre ishte t’i nënshtroheshin sundimit të atyre, të cilëve u takonte t’i ngrinin lavde Hyjit, dhe atyre t’u shërbenin. Ishin të ndrydhura nga shtypja dhe e kishin humbur gjallërinë, për shkak të atyre, që ishin bërë shërbëtorë të idhujve, por, për idhujt nuk ishin caktuar. Tani, përkundër, si të rilindura, ngazëllehen, sepse mbahen falë zotërimit dhe hijeshohen falë përdorimit të njerëzve, që lëvdojnë Hyjin.
U ngazëllyen si me një hir të ri e të paçmueshëm, kur dëgjuan se Hyji vetë, vetë Krijuesi i tyre, jo vetëm nga atje lart i drejton, i padukshëm, por edhe, i pranishëm e i dukshëm mes tyre, i shenjtëron, duke i vënë në shërbimin e vet. Këta të mira kaq të mëdha janë fryti i bekuar i kraharorit të bekuar të Marisë së bekuar.
Falë plotësisë së hirit tënd edhe krijesat që ishin në ferr ngazëllejnë nga gëzimi se u liruan, ndërsa ato që janë mbi tokë, gëzohen se u ripërtërinë. Në të vërtetë, me anë të të njëjtit bir të lavdishëm të virgjërisë sate të lavdishme, galdojnë, të çliruar nga robëria, të gjithë të drejtët që kanë vdekur para vdekjes së tij gjallëruese, dhe engjëjt lumturohen, sepse qyteti i tyre i rrënuar është ringritur i ri.
O grua, ku hiri është i plotë e i begatë, çdo krijesë rifiton gjelbërimin, nën përmbytjen e plotësisë sate gufuese. O virgjër e bekuar dhe e mbibekuar, falë bekimit tënd çdo krijesë është e bekuar nga Krijuesi i vet, dhe Krijuesi i bekuar nga çdo krijesë.
Marisë Hyji i dha Birin e tij të vetëm, që e kishte lindur nga vetvetja të barabartë me veten dhe që e donte si veten, dhe nga Maria Hyji trajtësoi Birin, jo një tjetër, por po atë, në mënyrë që, sipas natyrës, të ishte biri i vetëm e i njëjti bir i përbashkët i Hyjit dhe i Marisë. Hyji krijoi çdo krijesë, dhe Maria lindi Hyjin: Hyji, që kishte krijuar gjithçka, u bë vetë krijesë e Marisë, dhe rikrijoi, kështu, gjithçka që kishte krijuar. Edhe pse do të kishte mundur t’i krijonte të gjitha gjërat nga asgjëja, pas rrënimit të tyre nuk dëshiroi t’i restauronte pa Marinë.
Hyji, pra, është Ati i gjërave të krijuara; Maria nëna e gjërave të rikrijuara. Hyji është ati i themelimit të botës; Maria nëna e ndreqjes së saj, sepse Hyji la lindur atë përmes të cilit gjithçka është krijuar, dhe Maria ka lindur atë, falë veprës së të cilit të gjitha gjërat janë shpëtuar. Hyji ka lindur atë, pa të cilin asgjë nuk është asfare; e Maria ka lindur atë pa të cilin asgjë nuk është e mirë. Me të vërtetë me ty është Zoti. Ai deshi që të gjitha krijesat, e bashkë me to edhe ai, të të detyroheshin shumë ty.
*** *** ***

Sot është e diela e dytë e ardhjes. Leximi i kësaj të diele flet për predikimin e Gjon Pagëzuesit në Shkretëtirë. Eusebi i Cezaresë, duke komentuar profetin Isaia, flet për domethënien alegorike të predikimit të Gjonit.

Nga “Koment mbi profetin Isaia” të Euzebit, ipeshkëv i Cezaresë
(Cap. 40, rr. 3. 9)

Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: “Përgatitini udhën Zotit, rrafshojeni, në shkretëtirë, udhën për Hyjin tonë!” (Is 40,3).
Deklaron haptas se gjërat e treguara në këtë kumt, domethënë ardhja e lavdisë së Hyjit dhe shfaqja e shpëtimit të Hyjit për mbarë njerëzimin, nuk do të ndodhin në Jeruzalem, por në shkretëtirë. Kjo është realizuar historikisht dhe fjalë për fjalë, kur Gjon Pagëzuesi predikoi ardhjen shpëtimtare të Hyjit në shkretëtirën e Jordanit, pikërisht aty ku u shfaq shpëtimi i Hyjit. Në fakt Krishti dhe lavdia e tij iu shfaqën qartas të gjithëve, kur, pas pagëzimit të tij, u hapën qiejt dhe Shpirti i Shenjtë, duke zbritur në formën e pëllumbit, u ul mbi të dhe kumboi zëri i atit, që i jepte dëshmi Birit: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” (Mt 3,17).
Por gjithë kjo gjë duhet kuptuar edhe si alegori. Hyji vinte në atë shkretëtirë, të rrëpirë e të papërshkueshme, që është njerëzimi. Njerëzimi, në të vërtetë, ishte një shkretëtirë krejtësisht e mbyllur ndaj njohjes së Hyjit dhe e ndryrë ndaj cilitdo profet të drejtë. Megjithatë, ai zë detyron t’i hapet Fjalës së Hyjit një udhë drejt tij; urdhëron të rrafshohet trualli i dëmtuar e i rrëpirë që çon tek ai, që, kur të vijë, të mund të hyjë: Përgatitni udhën e Zotit (shih Mal 3,1).
Përgatitja është ungjillëzimi i botës, është hiri ngushëllues. Këta i japin njerëzimit njohurinë e shpëtimit të Hyjit.
“Ngjitu mbi një mal të lartë, o ti që i sjell lajme të hareshme Sionit; ngrije zërin fort, o ti që i sjell lajme të gëzueshme Jeruzalemit” (Is 40,9).
Më parë është folur për zërin që kumbon në shkretëtirë, ndërsa tani, me këto shprehje, tregohen në mënyrë pak a shumë piktoreske lajmëtarët më të drejtpërdrejtë të ardhje së Hyjit dhe vetë ardhja e tij. Në fakt, më parë flitet për profecinë e Gjon Pagëzuesit e pastaj për ungjillëzuesit.
Por cili është Sioni, për të cilin flasin këto fjalë. Sigurisht ai që dikur quhej Jeruzalem. Edhe ai ishte një mal, siç pohon Shkrimi, kur thotë: “Mali i Sionit, ku e ke vënë banesën” (Ps 73,2); dhe Apostulli: “I jeni afruar malit të Sionit” (Heb 12,22). Por, në një kuptim më të lartë, Sioni, që bën të ditur ardhjen e Krishtit, është kori i apostujve, i zgjedhur nga mesi i popullit të rrethprerë.
Po, ky është Sioni dhe Jeruzalemi, që e pranoi shpëtimin e Hyjit dhe është i vendosur mbi malin e Hyjit: është e themeluar, pra, mbi Fjalën e njëlindur të Atit. Atij i kërkon që, një herë të ngjitet mbi një mal sipëror, e pastaj të shpallë shpëtimin e Hyjit.
Shëmbëllim i kujt është ai që sjell lajme të mira, nëse nuk është shëmbëllim i aradhes së ungjillëzuesve? E çfarë do të thotë me ungjillëzue, përveçse me u sjellë të gjithë njerëzve e, para së gjithash, qytetit të Judës, lajmin e mirë të ardhje së Krishtit mbi tokë?








All the contents on this site are copyrighted ©.