Krishtlindja, në kryevepra proze. Faqe nga tradita tregimtare shqiptare: “Xhixhilloja
në shpellë të Betlemit”(Legjendë)
E morëm nga revista ‘Zâni i Shna Ndout”(Vjeti X, Shkoder, Shtypshkroja Françeskane,
1922, fq. 199-200) edhe faqen e dytë nga tradita tregimtare shqiptare. Në emisionin
e sotëm të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, legjenda “Xhixhilloja
në shpellë të Betlemit”.
Kur Zoja Mrì e Sh’Jozefi mrrîjten te shpella e Betlemit,
aty mrêndë ishte aq terr, sa u bite me u vra shpesh, kah nuk shifshin se kû me vû
kâmen. Nji brumull i shkretë, emnit llojë, qi gjallnote në nji birë mureve të shkretnueme
t’asajë shpellë, pat dhimë per kta shtegtarë, e fshâni. Duel shpejt e shpejt jashtë
e pau nji rreze hanet, qi endej prej nji vendit në tjetrin, si gjâ e bjerrne; e kapi
me nji herë, e vuni mbi shpinë… njashtû si mujt… e e barti me shum mûnd, me njet qi
t’u bâte pak dritë atyne udhtarve. Zoti t’a shperbleftë, moj mikëneshë - tha Zoja. -Po
njëmênd, Zoti t’a shperbleftë – persriti Sh’Jozefi. E, tuj vû n’oroe at brumull
të vogel: -Në ket vênd – vijoj Shêjti – shtâsët diftuekan mâ dashtnì se nierzët. Gomari
uli kryet e kau shkrepi njanen kâmë per tokë, si të dojshin me thânë: shpejt do të
jau bâjmë dishmì edhe na vetë. Kuer leu Krishti, rrezja e hânës, qi pat bárt mrêndë
lloja e shkretë, kje mâ e para dritë qi ndriti at djep të vorfen. Kerthîni, masi
pat puthë nanen e vet e u knaq me Sh’Jozefin, tuj u sjellë me shikjue shpellen per
rreth, i vojtne sýt e vogjel n’at brumull, qi prej nderimit, shkote gjithnji tuj hî
e tuj u bá mâ i vogel e i tha: -Llojë, mikneshë e dashtne, sa e mirë kênke… Due
me t’a shperblye ket sherbim qi na bâne… Çka dishron ? Llojës nuk i bâhej me folë. -A
don nji pàr krahë mndashit, stolisë me njyre të bukura e gjithfarësh, si ato të flutres,
per me mujtë e me fluturue gjithkahë? -Jo, Zot iem, jo! -Don qi t’a praroj shtatin
me ar kû të jèt mâ i ndritshmi? -Jo, Zot i em, jo! -A don qi të msoj me rrnue
si rrnon thnegla pûntore? - Jo, Zot i em, jo! -A don qi të bâj si bleten qi
bashkon mjaltin, qi âsht i amel i amel, si bleten, po tham, së cilës edhe i rrín në
sherbim të gjitha lulet ? - Jo, Zot i em, jo! - A don me u bâ si krymi i mndashit,
per të cilin do të késh ndî pûnë të mdha? - Jo, Zot i em, jo! - Po ti, moj llojë,
çka don pra? Fol, më thuej pa droje. Dikû veç don me më lypë ndonji sênd të rrallë,
fort të rrallë. - Qe çka un dishroj, o Zot i em – foli brumulli në të lutun – qi
të mund gjêjë per gjith mbrame ka nji rreze hâne, si atë qi shkova me kerkue sande,
e të mundem kshtû me u vjeftë edhe shtegëtarëve tjerë, qi të vînë kndejpari. Pse,
ti e din, o Zot i mirë qi din gjithçka, se hâna mshehet shpesh herë nâten e ka nji
herë, per sa do qi të kerkoje kushi, nuk ndeshet në kurrnji rreze të sajen… - A
shef sa mirë - pergjegji Foshnja e hyjnueshme – të thaçë se do të nap çka të më lypish
e jam tuj t’a dhânë pernjimênd. Sot e mas sodit nuk ke me pasë mâ nevojë me dalë e
me e kerkue at rreze hane, por ke me e pasë gjithmonë me vedi. E mandej, në kujtim
të vepres së mirë qi deshte me krye, si edhe në kujtim të lemit t’em, due qi sot e
mas sodi mos të thrrasë kush mâ llojë por xhixhillojë. - Falemi nderës, o Zot e
Krijues i em!
Ç’at herë e at herë, sidomos nder net të bukura të Mâjit, shifen
gjith ato xhixhilloja qi ndrisin mî blerime të tokës e më të kthielltë të qiellve. Njatyne
qi u napin skamnorëve të Zotit dromcen e bukës, qi i ushqen, goten e ujit, qi u largon
eden, petkun qi i mlon, msimin qi i ndritë, kshillin qi i vên në rrugë të marë, Krishti
ka me jau shperblye të gjitheve tuj u dhânë atyne, si xhixhillojës dikuer, njat rreze
lumnijet t’amshueshme me të cilen ka me i kunorue e qi thirret Parrîz.