2013-12-09 15:41:17

Kisha do të ketë tre të Lumë të rinj: atë Vergara e laiku Ngei Ko Lat, martirë të Birmanisë, si edhe nënë Xhovanina Franki


Papa Françesku priti sot paradite kardinalin Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e autorizoi Kongregatën t’i bëjë publike dekretet për tre të Lumë të rinj. Është fjala për motër Xhovanina Franki, themeluese e Kongregatës së Murgeshave Infermiere të Zojës së Dhimbshme; martirët e Birmanisë: Mario Vergara, meshtar i Institutit Papnor për Misionet e Jashtme (PIME) dhe Izidor Ngei Ko Lat, laik e katekist. Pse jeta e këtyre njerëzve është shembull për të krishterët? Le ta përvijojmë për secilin me pak fjalë.
Atë Mario Vergara lindi në Fratamaxhore të Napolit, më 18 nëntor 1910, më i vogli ndër nëntë fëmijë. 19 vjeç hyri në Institutin Papnor për Misionet e Jashtme (PIME) e u dërgua në Birmani në vitin 1934. Mësoi gjuhën e fiseve kariane e pas pak muajsh, shkoi të shërbente në Çitaçiò, në fisin Sokù, i cili banonte në 29 fshatra. U kthye në një pikë referimi për të sëmurët, të cilët i kuronte me përkushtim të madh, pavarësisht se mori malarien, që kthehej shpesh t’i bënte vizitë. Pasi shpërtheu Lufta e dytë Botërore, të gjithë misionarët italianë, që shërbenin në Birmani, nën protektoratin e Anglisë, u konsideruan fashistë dhe u detyruan ta ndërprisnin veprimtarinë. Më 21 dhjetor 1941 u dërguan në kampet e përqendrimit angleze në Indi. Atë Vergara u lirua pas tri vjetësh, pasi ishte dobësuar jashtëzakonisht e pasi kishte bërë disa operacione, ndër të cilat edhe heqjen e një veshke. Pavarësisht nga kjo, themeloi një mision tjetër, gjithnjë në Birmani, duke tërhequr kritikat e protestantëve baptistë. Atë Vergara kundërshtoi ashpër të gjitha abuzimet e trupave kariane rebele, me fe baptiste, të cilat i merrnin ushqimin popullsisë dhe vendosnin taksa të papranueshme. Më 24 maj 1950, atë Vergara, i shoqëruar nga katekisti Izidor Ngei Ko Lat, shkoi të protestonte për një abuzim, por u arrestua nga spiunët e qeverisë. U vranë të dy në agimin e 25 majit. Trupat u mbyllën në dy thasë dhe u hodhën në lumin Saluen, për të mos u gjetur kurrë më.
Xhovanina Franki lindi në Komo më 24 qershor 1807, e dyta e shtatë fëmijëve. Pasi i vdiq i fejuari, vendosi t’ia kushtonte jetën Zotit. Më 27 shtator 1853, 33 vjeçarja, së bashku me tri shoqe, themeloi Bashkimin e Mëshirshëm të Motrave Infermiere të Bamirësisë. Më 1858 veshi rrobën rregulltare, gjithnjë e ndjekur nga shoqet. Infermieret e Përshpirtshme, sipas planit fillestar të shën Franòeskut të Sales për Vizitandinet, asistonin të sëmurët në shtëpi dhe gratë në burgun e shën Doninos. Më pas, motër Xhovanina shkroi për vete e për simotrat “Metodën e jetës”, rregullën e kongregatës, që u miratua nga ipeshkvi më 16 korrik 1862. E kaloi jetën duke u shërbyer të sëmurëve, tek të cilët shihte fytyrën e Krishtit, duke ndërruar jetë ajo vetë më 23 shkurt 1872, nga lija e dhenve, e cila mbillte vdekje kudo në Komo.
Dekretet kanë të bëjnë edhe me njohjen e virtyteve heroike për 10 Shërbëtorë të Zotit, pesë burra e pesë gra.








All the contents on this site are copyrighted ©.