2013-12-08 15:46:38

Papa në Engjëllin e Tënzot: në Marinë shohim thirrjen tonë për t’u shndërruar nga dashuria


Dhjetra mijëra njerëz morën pjesë në kremtimin e Engjëllit të Tënzot, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Takimi, si zakonisht, u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit, sot me një pamje të re, festive. Tashmë është ngritur në mes të tij Bredhi i lartë i Krishtlindjes, ardhur nga Bavaria e, pranë tij, kanë nisur punimet për Shpellën e Betlehemit, sivjet dhuratë e dioqezës napoletane. Maria, tha Papa, na mbështet në udhën tonë drejt Krishtlindjes, sepse na mëson si ta jetojmë këtë kohë të Ardhjes, në pritje të Zotit.

Në këtë festë shikimi ynë tërhiqet nga bukuria e Nënës së Krishtit e Nënës sonë hirplote, vijoi Ati i Shenjtë, duke nënvizuar, më pas, se Zoti zgjodhi për planin e tij të dashurisë, këtë vashë, që jetonte në Nazaret, vend i vogël i Galilesë, në një skutë të perandorisë romake, në skaj të Izraelit:
“E pra mbi të, mbi këtë vashë të këtij fshati të largët, mbi të pushoi syri i Zotit, që e zgjodhi për të qenë nënë e Birit të Tij. Lidhur me këtë amësi, Maria u ruajt nga mëkati i rrjedhshëm, domethënë nga thyerja e besës së njeriut me Zotin. Kjo besë u rilidh përmes Nënës së Atij, që erdhi të na çlirojë nga skllavëria e mëkatit. Zoja e Papërlyer është e shkruar në planin e Zotit, është fryt i dashurisë së Zotit, që shpëton botën”.
Papa përmblodhi, pastaj, ngjarjen e madhe të lajmërimit të Zojës, që e dëgjoi lajmëtarin qiellor, iu bind kumtit të Zotit dhe i dha përgjigjen "po’, jam shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate”, e cila hapi rrugën e shëlbimit për mbarë njerëzimin.
Misteri i kësaj vashe të Nazaretit, që është në zemër të Zotit, nuk është i huaj edhe për ne:
“Zoti e shikon me dashuri çdo burrë e çdo grua! E njeh me emër e mbiemër! Sytë e tij plot dashuri janë të ngulur mbi secilin nga ne. Shën Pali pohon se Zoti ‘na zgjodhi që para krijimit të botës, për të qenë të shenjtë e të panjollë’ (Ef 1,4). Edhe ne Zoti na zgjodhi që prej amshimit, për të jetuar një jetë të shenjtë, të çliruar nga mëkati. Është plani i dashurisë, që Zoti e përsërit sa herë i afrohemi, posaçërisht përmes Sakramenteve”.
Papa shpjegoi, më pas, kuptimin më të thellë të këtij solemniteti:
“Në këtë festë, duke kundruar Nënën e Papërlyer, kujtojmë edhe fatin tonë më të vërtetë, thirrjen tonë më të thellë: të duam e të shndërrohemi nga dashuria. E shikojmë Zojën dhe e lëmë të na shikojë, për të mësuar të jemi më të përvuajtur, më guximtarë në ndjekjen e Fjalës së Zotit, e edhe për të shijuar përqafimin e ngrohtë të Birit të saj Jezusit, që na jep jetë, shpresë, paqe”.

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve, Papa kujtoi posaçërisht Kishën e Amerikës veriore, që sot kremtoi 350-vjetorin e themelimit të famullisë së parë: Notre-Dame de Québec. Ati i Shenjtë falënderoi Zotin për udhën e bërë që asokohe e, sidomos, për shenjtorët e martirët, që e begatuan jetën shpirtërore të këtyre viseve. Papa i bekoi të gjithë besimtarët, që marrin pjesë në këtë jubile.
Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, kujtoi se, duke ndjekur traditën e lashtë, pasdite do të shkonte në Sheshin e Spanjës, për t’u lutur tek këmbët e Zojës së Papërlyer:
“Ju kërkoj të bashkoheni shpirtërisht me mua në këtë shtegtim, akt devocioni bijnor ndaj Marisë, për t’ia besuar qytetin e Romës, Kishën e mbarë njerëzimin. Në kthim, do të ndalohem një çast në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për ta përshëndetur me lutje Zojën Shpëtimtare të Popujve Romakë e për t’u lutur për ju të gjithë, për të gjithë romakët.
Të gjithëve, ju uroj të diel të gëzuar e për shumë vjet festën e Nënës sonë!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.