2013-12-06 15:14:45

Predikimi i Ardhjes. Atë Cantalamessa: për të reformuar Kishën duhet të mohojmë vetveten e të ndjekim Jezusin


“Françesku i Asizit dhe reformimi i Kishës nëpërmjet Shenjtërisë”. Kjo ishte tema e predikimit të parë të Ardhjes, që mbajti sot para Papës dhe Kurjes Romake Atë Raniero Cantalamessa, në Vatikan. Predikatari i Shtëpisë Papnore nënvizoi se Skamnori i Asizit na mëson se reformatorët e vërtetë të Kishës janë ata, që mohojnë vetveten dhe jetojnë krejtësisht për Zotin.

Për të kuptuar Shën Françeskun duhet të nisemi nga kthimi i tij. Kështu e filloi predikimin e Ardhjes Atë Cantalamessa, dhe menjëherë nënvizoi se Françesku “nuk zgjodhi skamjen, e aq më pak lëvizjen skamnore (pauperizmin): zgjodhi të varfrit”. E, megjithatë, as kjo zgjedhje nuk e shpjegon plotësisht kthimin e tij. Kjo është “rrjedhoja e jo shkaku i ndryshimit”:
“Zgjedhja e vërtetë qe shumë më rrënjësore: nuk bëhej fjalë të zgjidhte ndërmjet pasurisë e varfërisë, as ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, ndërmjet përkatësisë në një klasë shoqërore, apo një tjetër, por të zgjidhte ndërmjet vetvetes dhe Hyjit, ndërmjet shpëtimit të jetës së vet, apo humbjes së saj, për Ungjillin”.
“Arsyeja e thellë e kthimit të tij – shtoi – nuk ka natyrë shoqërore, por ungjillore”. Pastaj, Françesku “nuk shkoi tek të gërbulurit me vullnetin e vet të vetvetishëm”, por e çoi Zoti. “Nuk bihet në dashuri me një virtyt – paralajmëroi atë Cantalamessa – qoftë edhe me varfërinë; bihet në dashuri me njeriun”:
“Françesku nuk u martua me varfërinë, as me të varfrit; u martua me Krishtin dhe për dashuri të tij, si të thuash, vuri ‘kurorë të dytë’, me Zojën varfëri. Kështu duhet të jetë gjithmonë me shenjtërinë e krishterë. Në themel të dashurisë për varfërinë apo për të varfrit, ose qëndron dashuria për Krishtin, ose të varfrit do të përdoren, në një mënyrë a në një tjetër, dhe varfëria do të bëhet lehtësisht një shkak për polemikë kundër Kishës, ose shpalosje e një përsosmërie më të madhe se të tjerët, në Kishë, siç ndodhi, fatkeqësisht, edhe me disa nga ndjekësit e Skamnorit”.
“Si në njërin rast, ashtu edhe në tjetrin – shtoi predikatari i shtëpisë Papnore – varfëria bëhet pasuria më e keqe: ajo e drejtësisë vetjake”. Ne, vërejti, “jemi mësuar ta shohim Françeskun si njeriun e Provanisë”, i aftë për ta ripërtërirë Kishën në një kohë tensionesh të forta. Françesku, si një lloj “ndërmjetësi midis heretikëve kryengritës dhe Kishës institucionale”. Por, në të vërtetë, saktësoi atë Cantalamessa, “ky synim as që i ka kaluar nëpër mend Françeskut. Ai nuk mendoi kurrë se ishte thirrur për të reformuar Kishën”. Çfarë deshi të bënte, atëherë, Françesku? Deshi të “ripërtërinte në botë formën dhe stilin e jetës së Jezusit:
“Kur shkroi rregullën për fretërit e tij, e filloi kështu: ‘Rregulla dhe jeta e fretërve të vegjël është kjo: zbatimi i Ungjillit të shenjtë të Zotit tonë Jezu Krishtit’. Françesku nuk e teorizoi këtë zbulim të tijin, duke e bërë atë program për reformimin e Kishës. Ai e realizoi reformën tek vetja dhe, kështu, i dëftoi heshtas Kishës udhën e vetme për të dalë nga kriza: riafrimin me Ungjillin, riafrimin me njerëzit dhe, veçanërisht, me të përvuajturit dhe të varfrit”.
Françesku, vijoi atë Cantalamessa, “realizoi në kohën e vet atë gjë, që në kohën e Koncilit nënkuptohej me moton: “të shembim muret”:
“Është thyerja e izolimit të Kishës, rivënia e saj në kontakt me njerëzit. Njëri nga faktorët e errësimit të Ungjillit ishte ai i shndërrimit të autoritetit, që duhet kuptuar si shërbim, në autoritetin e kuptuar si pushtet, i cili kishte shkaktuar konflikte pa fund brenda e jashtë Kishës. Françesku, nga ana e tij, e zgjidh këtë problem në mënyrë ungjillore. Në Urdhrin e tij, e kjo është risia absolute, eprorët do të quheshin ministra, domethënë shërbëtorë, e të gjithë të tjerët fretër, domethënë vëllezër”.
Për të reformuar Kishën, duhet të fillojmë të reformojmë veten. Françesku, tha atë Cantalamessa, na mëson se, nëse duam me të vërtetë të ndjekim Jezusin dhe të jetojmë për Jezusin, duhet të mohojmë vetveten. Kjo do të thotë “të vëmë gjithmonë në vendin e parë, në pikësynimet tona, lavdinë e Krishtit” . Kush duhet të veprojë kështu?:
Si ata që Hyji i thërret, për ta reformuar Kishën me anë të shenjtërisë; si ata që ndjehen të thirrur, për ta përtërirë me anë të kritikës, ashtu edhe ata që ai vetë i thërret, për ta reformuar me anë të detyrës, që u është ngarkuar. Është po ajo gjë nga e cila filloi aventura shpirtërore e Françeskut: kthimi i tij nga uni tek Hyji; vetëmohimi i tij. Kështu lindin reformatorët e mirëfilltë, ata që ndryshojnë me të vërtetë diçka në Kishë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.