2013-12-06 14:47:36

Papa Françesku për Mandelën: farkëtoi një Afrikë të re të Jugut, bazuar mbi pajtimin e barazinë


Njeri, që ia kushtoi jetën krijimit të një Afrike të re të Jugut, në të cilën, të gjithë qytetarët të kenë dinjitet të barabartë. Kështu shkruan Papa Françesku, në telegramin e ngushëllimit për vdekjen e Nelson Mandelës, liderit historik afrikanojugor, që ndërroi jetë mbrëmë në Pretoria, në moshën 95 vjeçare. Duke u bashkuar me vajtimin e mbarë botës, Papa ia beson Zotit shpirtin e Mandelës dhe vë në dukje impenjimin e tij të vazhdueshëm për t’u dhënë të njëjtin dinjitet të gjithë qytetarëve të vendit. Mandela, shkruan Ati i Shenjtë, arriti të farkëtojë një Afrikë të re të Jugut, ndërtuar mbi themelet e patundura të mospërdorimit të dhunës, të pajtimit e të së vërtetës. Lutem, përfundon Papa, “që shembulli i presidentit të ndjerë të frymëzojë brezat e ardhshëm të afrikanojugorëve, që ta vendosin drejtësinë dhe të mirën e përbashkët në vendin e parë të aspiratave të tyre politike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.