Thirrje e Papës për murgeshat ortodokse të rrëmbyera në Siri
Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku bëri thirrje për lirimin
e pesë murgeshave të rrëmbyera në Siri: “Dëshiroj tani t’i ftoj të gjithë të
lutemi për murgeshat e Manastirit greko-ortodoks të Shën Teklës në Maalula të Sirisë,
të cilat, para dy ditësh, u rrëmbyen me forcë nga njerëz të armatosur. Të lutemi për
këto murgesha, për këto motra e për të gjithë njerëzit e marrë peng, për shkak të
konfliktit. Të vazhdojmë të lutemi e të punojmë së bashku për paqen”. Ndërkaq,
i dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe për paqen, Lakhdar Brahimi, deklaroi se duhet
arritur shpejt në një marrëveshje, për të mos e lënë Sirinë të shndërrohet në një
Somali të dytë. Kujtojmë se lufta në Siri vazhdon që nga marsi i vitit 2011. Nuk dihet
akoma kush mund t’i ketë rrëmbyer pesë murgeshat, por mendohet se mund të jenë grupe
të Frontit Al Nusra, degë të Al Kaedës në vend. Informacionet e fundit na i jep ipeshkvi
i Halebit e kryetari i Karitasit të Sirisë, imzot Antuan Audo: (Salvatore Sabatino) Sipas
lajmeve të fundit, murgeshat e marra peng në Siri janë pesë e jo dymbëdhjetë, siç
u tha në fillim: eprorja e katër motra të tjera. U rrëmbyen natën, dy ditë më parë,
e dërguan në Jabrod, një qytet mjaft i largët. Nuk kemi lajme të tjera. Si
u prit lajmi nga popullsia siriane? Në përgjithësi, Maalula është një simbol
shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të krishterët, por edhe për myslimanët e Sirisë
e të Lindjes së Mesme, sepse e dinë se këtu flitet akoma gjuha e Krishtit, një dialekt
i aramaishtes. Prandaj, njerëzve u ka bërë shumë përshtypje ngjarja. Këto
motra punonin me jetimët, apo jo? Po, kishin jetimë. Manastiri i tyre është
ortodoks tradicional, ku praktikohet shumë bamirësia. Njerëzit vijnë në shtegtim,
është shumë i njohur. Nuk ka njeri që të mos shkojë në Maalula e në Saidnaja, në Siri.
Sidomos për festën e Lartimit të Kryqit, më 14 shtator, në malin e Maalulës. A
keni ndonjë ide mbi arsyet e rrëmbimit të murgeshave? A ka të bëjë kjo me bashkësinë
e krishterë? Mendoj se pikësëpari, arsyeja është lufta. Ne, si të krishterë,
si Kishë në Siri, nuk duam të themi se lufta bëhet kundër të krishterëve, sepse jemi
për pajtimin e bashkëjetesën. Kjo është thirrja jonë. Nuk duam probleme me myslimanët.
Por, me këtë që ndodhi, është prekur një vend i shenjtë për krishterimin e deri tani
– prej shekujsh – askush nuk ka bërë një gjë të tillë në Maalula. Qyteti është vend
i shenjtë, jo vetëm për të krishterët, por edhe për të tjerët. Shpresoj, që murgeshat
të lirohen sa më shpejt… shpresoj të jenë mirë.