2013-12-04 17:21:21

Reforma e kurjes, dita e dytë e punimeve të kardinalëve


Atë Lombardi paraqet në mënyrë të përmbledhur punimet e Këshillit të kardinalëve për reformimin e Kurjes Romake. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit raportoi se Këshilli vijoi punimet, sipas programit si dje pasdite ashtu edhe sot paradite. Dje pasdite ka qenë i pranishëm Ati i Shenjtë, por sot paradite jo, për shkak të audiencës së përgjithshme. Ai nënvizoi se klima e punimeve është shumë e qetë, e përzemërt dhe e hapur. Pjesëmarrësit flasin lirshëm dhe, duke qenë se grupi është i vogël, dialogu mund të zhvillohet me lehtësi.
Dje pasdite janë takuar me Sekretarin e Shtetit Imz. Pietro Parolin. Takimi ka qenë i shkurtër, sepse qëllimi ishte vetëm për ta përshëndetur dhe për t’i treguar gatishmërinë për bashkëpunim. Pra, nuk bëhet fjalë për pjesëmarrje të Sekretarit të Shtetit në punime.
Sot paradite punimet e Këshillit kanë vijuar me shqyrtimin e dikastereve të ndryshme, pa kritere përparësie për arsye të veçanta. Në fillim është folur për Kongregatat, që janë më të rëndësishmet, dhe pastaj, sipas kohës në dispozicion, është folur edhe për Këshillat Papnorë apo dikasteret e tjera. Ndër të tjera është folur për Çështjet e Shenjtërve, për Edukimin Katolik, për Ungjillëzimin e Popujve. Punimet vijojnë me mjaft shpejtësi, por kjo – tha Lombardi – jo sepse shqyrtimi është i thjeshtë apo i cekët, por sepse është shkëmbimi i parë i mendimeve, që, natyrisht, më vonë do të thellohen edhe në një perspektivë më të përgjithshme.
Në fund Atë lombardi shtoi edhe një tjetër njoftim: lajmi i firmosjes së Protokollit të mirëkuptimit (Memorandum of undarstanding) ndërmjet Aif-it (Autoriteti për informimin financiar të Selisë së Shenjtë) dhe palës përkatëse gjermane. Bëhet fjalë për marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Aif-it dhe enteve përkatëse të vendeve të ndryshme, me të cilët vendosen marrëdhënie bashkëpunimi dypalëshe.








All the contents on this site are copyrighted ©.