2013-12-04 17:21:09

Papa në audiencën e përgjithshme: ringjallja e të vdekurve është e vërtetë, sepse Jezusi u ngjall


“Ne do të ngjallemi, sepse Jezusi u ngjall!”. Përmes këtij pohimi, të përsëritur disa herë në takimin e sotëm me 30 mijë shtegtarë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku u ndalua tek e vërteta kryesore e fesë sonë: ngjallja e Jezusit. “Në qoftë se Krishti nuk u ngjall, e kotë është feja juaj e ju jeni ende në mëkatet tuaja”(1Kor 15-17), pohon qartë Shën Pali. Fjalët e para, pas Rrëshajëve, Shën Pjetri ia kushton Krishtit të ngjallur: “Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! E ne të gjithë e dëshmojmë këtë gjë”(Vap 2,32). Të gjitha të vërtetat e tjera të fesë së krishterë bazohen mbi këtë dëshmi. Të gjitha festat e krishtera burojnë nga Pashkët. Nëse Jezusi i Nazaretit nuk do të ishte ngjallur e nuk do të kishte ndikuar Shpirtin e vet mbi dishepujt, sot vetëm specialistët e historisë së lashtë do të mund të na rrëfenin ndonjë gjë për jetën e Tij. Të besosh në ringjalljen, pohoi Papa, do të thotë të çlirohesh nga burgu i çastit kalimtar e të jesh më i gatshëm për të ushtruar mëshirën.RealAudioMP3

Prova e pamohueshme u skalit thellë mbi gurin, flakur tutje nga gryka e një varri të zbrazët, në agun Pashkëve, dymijë vjet më parë. Prova e shpresës së krishterë: ringjallja prej të vdekurve është e vërtetë, sepse Jezusi u ngjall nga vdekja.
Në një të mërkurë të këndshme, larë me rrezet e vakta të diellit dimëror, që për një çast të bënin ta harroje dimrin, tashmë tek porta, Papa Françesku shpjegoi thelbin e besimit në Krishtin e të besimit në atë ditë kur, pas jetës tokësore, do të nisë një jetë e re, në të cilën, pohoi Ati i Shenjtë, Zoti do t’ia kthejë jetën korpit, duke e bashkuar me shpirtin:
“Ky është shpjegimi kryesor: ne do të ngjallemi, sepse Krishti u ngjall: ne kemi shpresë në ringjalljen, sepse Ai na e hapi portën e jetës së re. E ky transformim, ky shndërrim i korpit tonë, përgatitet që në këtë jetë nga lidhja me Jezusin në Sakramente, posaçërisht në Eukaristi”.
Papa nuk dëshiron kurrë që turma t’i ndjekë çkujdesshëm a t’i dëgjojë cektësisht fjalët e tij. E aq më tepër këto fjalë kaq të rëndësishme. E vërteta mbi ringjalljen, nuk është diçka e thjeshtë: krejt përkundrazi, sepse, pohoi Ati i Shenjtë, duke jetuar të zhytur në këtë botë, vështirë ta kuptosh ku do të shkojmë në të ardhmen. E atëherë, siç ngjet shpesh, faqet e tekstit zyrtar lihen mënjanë e Papa Françesku kërkon të hyjë drejtpërdrejt në zemrën e njerëzve. Atëherë Ati i Shenjtë përpiqet ta shpjegojë me fjalë sa më thjeshta, të vërtetën e madhe të Ringjalljes, që u intereson fort të gjithë njerëzve, të të gjitha epokave:
Kjo nuk është gënjeshtër. Është e vërtetë! Ne besojmë se Jezusi u ngjall, se Jezusi rron në këtë çast. Po ju, a besoni se Jezusi është i gjallë? E nëse është i gjallë, thua mund ta besoni se ai do të na lërë të vdesim e nuk do të na ngjallë përsëri? Jo! Ai na pret, e me që Ai u ngjall, forca e ngjalljes së Tij do të na ringjallë të gjithë”.
Pastaj, me konkretësinë karakteristike për stilin e tij baritor, Papa Françesku kujtoi se Ringjallja nuk është diçka, që ka të bëjë vetëm me jetën e pasosur. Jeta e pasosur, theksoi, nis që në këtë çast; fillon me lindjen e vijon gjatë gjithë shtegtimit mbi tokë. Sepse të krishterët e kanë në shpirt farën e Ringjalljes, që depërton edhe në korp:
“E prandaj edhe korpi i secilit prej nesh, është jehonë e amshimit; prej këndej, duhet respektuar gjithnjë; e posaçërisht duhet respektuar e duhet dashur jeta e njerëzve të vuajtur, që ta ndjejnë afërsinë e Mbretërisë së Hyjit, të këtij kushti të jetës së amshuar, drejt të cilit shtegtojnë”.
Kjo pritje, pra, pohoi Papa Françesku, është burim e arsye e shpresës sonë. Shpresë që, nëse kultivohet e ruhet...
“...bëhet dritë, për të ndriçuar historinë tonë personale e edhe historinë e bashkësisë. Ta kujtojmë gjithnjë: jemi dishepujt e Atij, që erdhi, që vjen ditë për ditë e që do të vijë edhe në fund të fundit. Nëse do t’ia dalim mbanë ta kemi në shpirt këtë realitet, do të jemi më pak të lodhur në të përditshmen tonë, më pak të burgosur nga çasti kalimtar e më të gatshëm për të ecur, plot mëshirë, në rrugën e shëlbimit”.
Përshëndetjet përfundimtare Papa ua drejtoi, ndërmjet tjerësh, pjesëmarrësve të një seminari kushtuar etikës dhe vlerave, organizuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes; anëtarëve të trupave të ndryshme ushtarake, të pranishme në Shesh; një delegacioni të Veprës Romake, në nisje për në Irak dhe shoqatave të shumta, si “Spina-Bifida e Idrocefalo” dhe ‘Miqtë e Raoul Follereau”, që impenjohen në ndihmë të të sëmurëve.












All the contents on this site are copyrighted ©.