2013-12-03 15:21:18

Në Vatikan, mbledhja e tetë kardinajve, “këshilli i pleqve” i Papës Françesku


Papa Françesku mori pjesë në seancën e dytë të mbledhjeve të Këshillit të Kardinjave, që u hap sot e do të përfundojë më 5 dhjetor në Vatikan. Kujtojmë se është fjala për tetë kardinajtë, apo tetë “të urtët”, që Ati i Shenjtë i ka zgjedhur për të studiuar reformat e për t’u këshilluar me ta.
Në konferencën për shtyp, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi shpjegoi se sot u fol për dikasteret e Kuries Romake:
“U nisën nga një diskutim për Kongregatën e Kultit Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, që është kompetente për liturgjinë, por nuk besoj se kjo përbën ndonjë urgjencë. Diçka tjetër, që duhet përmendur e që edhe vetë Këshilli dëshiron të kuptohet mirë, është se kemi të bëjmë me një punë, që parashikohet të depërtojë në thellësinë e gjërave e të mos kufizohet vetëm në disa retushime”.
Mbledhjet do të vazhdojnë nesër e pasnesër, me një ritëm prej gjashtë orësh në ditë. Përsa i përket Institutit për Veprat Fetare, apo asaj që njihet si banka e Vatikanit, atë Lombardi nënvizoi se nuk parashikohet të trajtohet si çështje këto ditë:
“Ka shumë mundësi, që të trajtohet në takimet e ardhshme të Këshillit, në ato të 17 e 18 shkurtit, por jo me këtë rast”.
Këto ditë, është ftuar në mbledhje edhe Sekretari i ri i Shtetit të Vatikanit, imzot Pjetro Parolin. Pas mbledhjes së shkurtit, theksoi atë Federiko Lombardi, Papa Françesku do të ketë elemente të mjaftueshme për të paraqitur disa ide reformash në mbledhjen e Konçistorit me kardinajtë, por kjo nuk duhet kuptuar si datë përfundimtare për procesin e reformave.








All the contents on this site are copyrighted ©.