2013-12-03 13:02:35

Nga intervista e Papës Françesku me Atë Spadaron


Vijojmë intervistën e Papës Françesku me Atë Spadaron. Argumentit të sotëm i paraprinte tema e Kishës dhe e organizimit të saj të brendshëm dhe shestimi i ekumenizmit mbështetur mbi sinodalitetin. Sot Papa flet për Koncilin II të Vatikanit dhe kërkimin e Hyjin.

Koncili II i Vatikanit

“Çfarë ka realizuar Koncili II i Vatikanit? Çfarë qe ai?”, e pyes në dritën e pohimeve të mëparshme, duke marrë me mend një përgjigje të gjerë e të nyjëtuar. Por, më krijohet përshtypja se Papa e shikon Koncilin thjesht si një fakt aq të padiskutueshëm, sa nuk ia vlen të flitet tepër gjatë për të, a thua se është e nevojshme të ritheksojmë rëndësinë e tij.
“Vatikani II rilexoi Ungjillin në dritën e kulturës bashkëkohore. Prodhoi një lëvizje përtëritëse, që vjen thjesht nga vetë Ungjilli. Frytet janë të pafundme. Mjafton të kujtojmë liturgjinë. Puna për reformën liturgjike është një shërbim që i bëhet popullit si rilexim i Ungjillit, duke u nisur nga një situatë historike konkrete. Po, ka disa linja interpretuese të vijimësisë apo mosvijimësisë, megjithatë, një gjë është e qartë: dinamika e leximit të Ungjillit, duke e bërë atë të pranishëm në të sotmen, veti e mirëfilltë e Koncilit, është absolutisht e pakthyeshme. Pastaj ka çështje të veçanta, siç është liturgjia sipas Vetus Ordo (Rendit të Vjetër). Mendoj se zgjedhja e Papës Benedikti ka qenë e frymëzuar nga urtia, me qëllimin për të ndihmuar disa njerëz, që kanë këtë ndjeshmëri të veçantë. Megjithatë, shoh si diçka shqetësuese rrezikun e ideologjizimit të Vetus Ordo (Rendit të Vjetër), instrumentalizimin e tij”.

Hyji duhet kërkuar e gjetur në të gjitha gjërat

Ligjërimi i Papës Françesku anon shumë kah sfidat e sotme. Para disa vitesh kishte shkruar se, për të parë realitetin, duhet vështrimi i fesë, përndryshe shihet një realitet i thërrmuar, i copëzuar. Kjo është edhe njëra ndër temat e enciklikës Lumen fidei. Kam ndër mend edhe disa kalesa të fjalimeve të Papës Françesku gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Rio de Zhaneiro. Ia citoj: “Hyji është real nëse shfaqet sot”; “Hyji është gjithandej”. Janë fjali që i japin jehonë shprehjes injaciane “me kërkue e me gjetë Hyjin në të gjitha gjërat”. Atëherë e pyes Papën: “Shenjtëri, çfarë mund të bëhet për ta kërkuar e për ta gjetur Hyjin në të gjitha gjërat?”.
Ajo çfarë kam thënë në Rio ka vlerë të përkohshme. Në të vërtetë, ekziston tundimi për ta kërkuar Hyjin në të shkuarën apo në ndonjë të ardhme të mundshme. Hyji gjendet sigurisht në të shkuarën, sepse gjendet tek gjurmët që ka lënë. Gjendet edhe në të ardhmen, si premtim. Por Hyji ‘konkret’, si me thënë, gjendet sot. Për këtë arsye ankesat nuk na ndihmojnë kurrë për ta gjetur Hyjin, kurrë. Ankesat e sotme, se si po shkon bota “barbare”, nganjëherë e çojnë Kishën deri në pikën që të ushqejë dëshirën për një rend të kuptuar vetëm si ruajtje, si mbrojtje. Jo, Hyji duhet takuar në të sotmen.”
“Hyji shfaqet duke u zbuluar në histori, në kohë. Koha i nis proceset, hapësira i kristalizon. Hyji gjendet në kohë, gjatë zhvillimit të proceseve. Nuk u duhet dhënë përparësi hapësirave të pushtetit përkundrejt kohëve të proceseve, edhe kur ato zgjasin. Ne duhet të nisim proceset, në vend që të zëmë hapësirat. Hyji shfaqet në kohë dhe është i pranishëm në proceset e historisë. Kjo gjë u jep përparësi veprimeve që krijojnë dinamika të reja. Dhe lyp durim, pritje”.
“Me takue Hyjin në të gjitha gjërat nuk është një eureka empirike. Tek e fundit, kur dëshirojmë të takojmë Hyjin, do të dëshironim ta konstatonim menjëherë me metodën empirike. Kështu nuk takohet Hyji. Ai takohet në puhizën e lehtë, ku e pikasi Elia. Shqisat që e konstatojnë Hyjin janë ato që Shën Injaci quan ‘shqisat shpirtërore’. Injaci kërkon hapjen e ndjeshmërisë shpirtërore për ta takuar Hyjin përtej qasjes së kulluar empirike. Është e domosdoshme sjellja kundruese: është ajo ndjesia se po ecim udhës së mbarë të mirëkuptimit e dashurisë për gjërat e për njerëzit. Shenja që jemi në rrugë të mirë është ajo e paqes së thellë, e ngushëllimit shpirtëror, e dashurisë së Hyjit dhe e vështrimit të të gjitha gjërave në Hyjin.








All the contents on this site are copyrighted ©.