2013-12-03 13:02:53

Krishtlindja, në kryevepra proze: “Krishtlindja nuk është legjendë” (Emisioni VI)


(Tekste e histori Këshndellash)
Tekstet dhe historitë e Këshndellave, zgjedhur nga kryevepra të letërsisë shqipe e botërore, shpesh kanë ngjyrimet legjendare. E quajtëm, prandaj, të domosdoshëm këtë reflektim. Që Krishtlindja të mos kthehet për asnjeri në përrallë, në mall për kohët e shkuara, a në shkëputje nga realiteti. Madje, për ndokënd, edhe në mashtrim të panevojshëm e të dëmshëm. Në këto raste, do të ishte më mirë të zhdukej nga kujtesa, për të mos rënë përsëri në kurthin e ëndrrës e të iluzionit.
Po Krishtlindja nuk është përrallë!
Krishtlindja është mister, e misteri është shenjë e Hyjit, është frymëmarrje e amshimit, është rrahje e damarëve të jetës, që s’ka të sosur. Misteri kërkon që njeriu të jetë aq i përvuajtur, sa t’i njohë kufizimet dhe paaftësinë e vet, për të marrë, si shkëmbim, një natyrë të re, atë të birit të Zotit.
Krishtlindja nuk është përrallë. E as koha jonë, që duket kaq shkencore, kaq racionale, kaq e rreptë në përkufizimet e veta, nuk është kohë, për të rrëfyer përralla. Do të thoshim se jetojmë në kohën e pohimeve të ftohta, të kalibruara, teorike, të ligjeve fizike e kimike të pashmangshme, të shprehjeve dhe eksperimenteve të përpikta.
Nuk është kohë legjendash, koha jonë, në të cilën fiton shpesh e keqja mbi të mirën e nuk kthen gjithnjë gëzimi në zemrën e njerëzve, që kanë vuajtur. Koha jonë është kohë e ekonomisë që vret, na kujtoi pak ditë më parë Papa Françesku, në Këshillimin Apostolik “Evangelii Gaudium”. Kohë e shpartallimit më të hidhur të drejtësisë, të dashurisë, të vërtetësisë.
Nuk duket, prandaj, kohë rrëfenjash, kjo kohë, ditët, muajt, vitet e së cilës janë përplot me vdekje, dhunë, mizori të papërshkrueshme, sisteme të rafinuara torturash, rrëmbime, provokime të pafytyra, shpesh edhe trashanike, që i poshtërojnë e i mashtrojnë ndjenjat e çdo njeriu.
E megjithatë shpirti ynë, kaq i vetmuar e kaq kontradiktor, rikthehet shpesh tek përrallat e legjendat.
Lind miti i progresit, i vëllazërimit universal, i pushtetit të shkencës e teknikës, së cilës nuk i shpëton asgjë, askush: njeriu shikon ëndrra me sy hapur, pa pyetur fare sa i kushtojnë, sa e largojnë nga e nesërmja e premtuar, që do të dëshironte ta jetonte. Lind miti i rinisë së përjetshme, përralla e kënaqësive pa cak, legjenda e shfrytëzimit me fund të jetës, që s’njeh kurrfarë kufiri, s’ka kurrfarë respekti për vlerat e për dinjitetin njerëzor. Duke ecur në udhët e këtij miti, njeriu shkel, shtyp, shkatërron gjithçka, që e pengon të realizojë dëshirat e tij të shfrenuara. Është miti i Moloch-ut , i cili i përpin të gjithë ata, që e adhurojnë.

E sotmja përpiqet ta rrëfejë si përrallë edhe ngjarjen e mirëpërcaktuar historikisht të Lindjes së Krishtit, Zot e njeri, të predikimit, mundimeve e ngjalljes së Tij. Përpiqet ta interpretojë sipas dëshirës, të zbutë ca shprehje, të harrojë ca të tjera, të nënvizojë ato, që i pëlqejnë. Kështu shoqëria e sotme përpiqet ta tregojë fenë e krishterë si një përrallë, herë të këndshme e herë tragjike. Që nis me një Krisht Fëmijë, buzagaz në djepin e tij përplot me dritë; ose me një Krisht të kryqëzuar, që përdoret thjesht për t’u varur në mur, a në qafë.
Kështu Krishtlindja rrezikon të kthehet në përrallë e të kalojë pa lënë gjurmë, madje rrezikon ta thellojë më tej hendekun, që e ndan njeriun nga njeriu, sepse e ndan nga Zoti.
Po Krishtlindja nuk është përrallë. Shpresojmë ta ndjeni fort edhe përmes këtyre tregimeve, që ndokujt mund t’i tingëllojnë si përralla. Janë simbolike. E përmes simbolit të tyre kuptohet menjëherë se “Krishtlindja nuk është përrallë!”. Është historia e Hyjit, Birit të Atit të amshuar që, duke dashur ta shenjtëronte botën me ardhjen e Tij, si u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt e si kaluan nëntë muaj, lindi në Betlehem të Judës nga Virgjëra Mari, e u bë njeri.Është historia e lindjes së Zotit tonë, Jezu Krishtit, sipas natyrës njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.