2013-12-03 13:05:35

Ekspozita “100 Shpella Betlehemi”. Imzot Çeli: familjet duhet të kenë Shpellën e tyre të Betlehemit


Hyrje në kulturën e Shpellës së Betlehemit, sipas traditave të ndryshme të botës: ky është qëllimi i ekspozitës ndërkombëtare “100 Shpella Betlehemi”, përuruar në Romë, që do të mund të vizitohet deri më 6 janar, në Sallat e Bramantes, pranë Piazza del Popolo.RealAudioMP3

Shpella Betlehemi të të gjitha madhësive, realizime me çokollatë e biskota, me dantella mëndafshi e fije liri, me bakër e argjend... Mund të soditësh Shpella Betlehemi nga më klasiket, si ato të ‘700 ndës napolitane, me personazhe prej deltine të pjekur, me sy qelqi, me duar e këmbë druri, deri tek më të veçantat, të stisura me lloje të ndryshme brumi. Të 183 Shpellat e Betlehemit që mund t’i sodisim në ekspozitën, organizuar nga Revista Kombet, erdhën këtu prej 30 vendeve të ndryshme të botës. Mund të shikosh personazhe të veshura me rrobat tradicionale ngjyra-ngjyra të Guatemalës, të sjella nga Shoqata “Krishtlindja në botë”, e cila propozon edhe një Shpellë Betlehemi, ardhur nga Kanadaja, ku Jozefi e Maria janë të veshur me kostumet e indianëve të Amerikës, apo Shpellën e ardhur nga Alaska, me figurat e veshura si eskimezë.
Për fat të keq, nuk kanë arritur akoma në këtë vend, ku është simboliksht e pranishme mbarë bota, nga ekuadori i vaptë, tek viset e ngrira të Alaskës, personazhe të ardhura nga Shqipëria, veshur, ndoshta, me tirq e fustanella, që sigurisht do të sillnin një frymë të re, të paparë, në ekspozitë. Ose figurinat e traditës, realizuar më se njëqind vjet më parë nga jezuiti Fratel Sala, të dëmtuara rëndë nga lagështira, sepse të fshehura për një gjysëm shekulli në vrima. Në një vend ku deri Krishti e kishte të ndaluar të lindte Natën e madhe të Këshndellës. Kur shqiptarët prisnin më kot këndellje. Do të mund të quhej Shpella e persekutuar e Betlehemit. Me shtatore të martirizuara, si personazhe. Por, për hollësira, të dëgjojmë kryetarin e Shoqatës “Krishtlindje nëpër botë”, Gjuzepe d’Orsi:

Përgjigje: - T’i shikosh këto Shpella Betlehemi, është njëlloj si të bësh një rrotullim rreth botës përmes përfytyrimit të Këshndellës. Ka shumë hollësira, që të çojnë në viset prej nga vijnë Shpellat. Të marrim, për shembull, Shpellën e Betlehemit të Portugalisë, realizuar krejt në terrakotë, punuar me dorë, ku shijohet baroku portugez e sundon ngjyra e kaltër. Edhe Shpella e ardhur nga Polonia, shumë e thjeshtë dhe e veçantë. Duket shumë e pasur, por në të vërtetë u realizua krejtësisht me fletë kallaji ngjyra-ngjyra.

Pyetje: - Ndërmjet tjerash, kur e shikon këtë Shpellë, të duket sikur je duke hyrë në një kështjellë…

Përgjigje: - Po, vërtet. Pastaj nuk duhet harruar se në majë të kështjellës, valëvitet gjithnjë flamuri polak!

Pyetje: - Kemi, pastaj, edhe Shpellën e Betlehemit ardhur nga Gjermania, krejt në dru….

Përgjigje: - Kjo vjen nga Pylli i Zi, zona e Munihut. Në këtë Shpellë vërejmë menjëherë edhe një helikë: po kjo helikë ç’kërkon pranë grazhdit? Është aty për t’u shërbyer katër qirinjve të bazës që, kur ndizen, e nxehin ajrin. Shpella është e formuar me personazhe të vogla, të vëna mbi një piedestal, me kate të ndryshme. E ky piedestal rrotullohet pikërisht falë nxehtësisë që arrin tek helika, nga qirinjtë.

Për rëndësinë e pranisë së Shpellës së Betlehemit në të gjitha vatrat katolike, mendimi i kryetarit të Këshillit të Komunikimeve Shoqërore, kryeipeshkvit Klaudio Maria Çeli:
Përgjigje: - Më kujton jetën e vegjëlisë, e gjithë kjo botë e vogël, që vjen këtu nga bota e madhe. Ishte gjithnjë gëzim i jashtëzakonshëm, kur fillonim të bënim Shpellën e Betlehemit. Nëna, babai, ne fëmijët, të gjithë së bashku, rreth vendit, ku do të ngrihej Shpella. Duke jetuar një nga gëzimet më të ndjera të vitit. Dëshiroj t’u drejtoj të gjitha familjeve të krishtera ftesën ta kenë edhe sivjet Shpellën e Betlehemit në qendër të shtëpisë, si pikë ku ngulen sytë e të gjithëve këto ditë të mëdha, që po afrohen. Jo për arsye sentimentale, por për ta shijuar me shpirt misterin e dashurisë së Zotit në jetën tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.