2013-12-02 15:00:29

Papa pret Netanijahun: urohet zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për izraelitët e palestinezët


Papa Françesku priti sot në Vatikan, kryeministrin izraelit Benxhamin Netanijahu. Gjatë bisedës së përzemërt, që zgjati 25 minuta, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, u fol për gjendjen e ndërlikuar politike e shoqërore në Lindjen e Mesme, sidomos për rifillimin e bisedimeve ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Të dyja palët uruan të arrihet sa më shpejt një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme, në respektimin e të drejtave të ligjshme. U përmend edhe plani për shtegtimin e Papës Françesku në Tokën e Shenjtë, si edhe disa çështje lidhur me marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve shtetërore e bashkësive katolike lokale. Shteti i Izraelit dhe Selia e Shenjtë po përgatisin prej kohësh një marrëveshje dypalëshe, që urohet të nënshkruhet sa më shpejt.
Kryeministri izraelit i dhuroi Atit të Shenjtë një libër mbi Inkuizicionin, në spanjisht, shkruar nga i ati, historian. Gjithashtu, i dhuroi edhe një “hanukkiah”, shandan hebraik argjendi me shtatë qirinj. Nga ana e tij, Papa i dhuroi Netanijahut një pllakë bronxi, ku qe gdhendur shën Pali Apostull.








All the contents on this site are copyrighted ©.