2013-12-02 14:39:29

Papa Françesku: Krishtlindja festohet duke e takuar Jezusin me zemër të hapur e duke e lënë të na përtërijë jetën


Të përgatitemi për Krishtlindje, duke u lutur, duke bërë mirë e duke i thurur lavde Zotit: kjo, këshilla e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët ta takojnë Hyjin me zemër të hapur, duke i dhënë Atij mundësinë ta përtërijë jetën e secilit.
Duke komentuar pjesën e Ungjillit, kur centurioni romak i kërkon me fe të gjallë Jezusit t’i shërojë shërbëtorin, Papa kujtoi se këto ditë, me fillimin e Kohës së Ardhjes, nisim edhe një udhë të re, drejt Krishtlindjes. Shkojmë për të takuar vërtet Zotin. Krishtlindja, tërhoqi vëmendjen Papa, nuk është vetëm përkujtim i një ngjarjeje të bukur:
“Krishtlindja është më shumë: ne ecim kësaj udhe për të takuar Zotin. Krishtlindja është takim! E ne ecim për ta takuar me zemër, me jetë; për të takuar Zotin e gjallë, ashtu siç është; për ta takuar me fe. E nuk është e lehtë ta jetojmë fenë. Zoti, në shembëlltyrën që dëgjuam, u mrekullua nga centurioni: u mrekullua nga feja e tij. Ai kishte ecur mjaft për ta takuar Jezusin, por e kishte bërë këtë me fe të gjallë. Prandaj, ai, jo vetëm e takoi Zotin, por ndjeu gëzimin e këtij takimi. Pikërisht ky është takimi që duam: takim feje!”
Në të vërtetë, vërejti Papa, nuk jemi ne, me iniciativën tonë, që shkojmë për të takuar Zotin. Më e rëndësishme është ta lemë Atë të na takojë:
“Kur ne, e vetëm ne, e takojmë Hyjin, jemi – po themi – zotat e këtij takimi; por kur e lejojmë Atë të na takojë, është Zoti që hyn brenda nesh, është Ai që na ribën nga e para, sepse kjo është ardhja, ky është kuptimi i ardhjes së Krishtit: Ai i bën të reja të gjitha gjërat: zemrën, shpirtin, jetën, shpresën, udhën. Ne jemi për udhë, me fe, me fenë e centurionit, për ta takuar Zotin e sidomos për ta lënë veten në dorë të Tij, që të na takojë”.
Për këtë, është e nevojshme një zemër e hapur:
“Zemër e hapur, që Ai të më takojë! E të më thotë ç'do Ai të më thotë, e cila nuk është gjithnjë e njëjtë me ç’dua unë të më thotë! Ai është Zoti e më drejtohet mua, sepse Hyji nuk na sheh si masë, si turmë. Jo, jo! E sheh në fytyrë secilin prej nesh, e sheh në sy, sepse dashuria nuk është abstrakte, është konkrete! Nga njëri tek tjetri: Zoti, person, me sheh mua, person. Ta lemë Zotin të na takojë do ta thotë ta lemë të na dojë!”
Në udhën drejt Krishtlindjes, përfundoi Papa Françesku, na ndihmojnë lutja, bamirësia për vëllezërit në nevojë, gëzimi kur i thurim lavde Hyjit. E duhet ta mbajmë gjithnjë zemrën të hapur, duke pritur trokitjen e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.