2013-12-01 14:01:42

U mbyllën sot kremtimet për përfundimin e 450-vjetorin e Koncilit Ekumenik të Trentit


Në Katedralen e Trentit sot përfunduan kremtimet kushtuar 450-vjetorit të mbylljes së Koncilit Ekumenik të Trentit. I dërguar i posaçëm i Papës ishte kardinali Walter Brandmüller, diakon i Shën Xhulianit të Fiamingëve.
Vijoi njëzet vjet (1545-1563), kohë tepër e gjatë për një koncil! Njëzet vjet, gjatë të cilave ipeshkvijtë e papa u mblodhën e u shmblodhën shumë herë në qytezën e Trentit. Njëzet vjet diskutime, rragatje, vendime. Por ia vlente barra qiranë: përfundimet e këtij Koncili të trazuar, qenë aq të frytshme, sa Kisha nuk do të organizonte më mbledhje të tilla për tre shekuj me radhë.
Kur u hap, në vitin 1545, Koncili pati një qëllim të caktuar: do të flitej për protestantët dhe idetë, që praktikonte kreu i tyre, murgu gjerman, Martin Luteri, i cili ishte në kundërshtim me Kishën në shumë drejtime. Prej këndej edhe emri ‘protestant’, nga fjala ‘protestë’, apo ‘kundërshtim’. Luteri ngrinte zërin për të kërkuar reforma në jetën e brendshme të Kishës. E pikërisht për të përballuar këtë situatë u mblodh Koncili. Por përpjekja për të ecur në rrugën e dialogut me protestantët, dështoi që në hapat e para. Në këtë epokë, fetë nuk ishin ende të gatshme për të dialoguar njëra me tjetrën… Prandaj duhej pritur shekulli XX, që fjala dialog të dilte nga arkivi i fjalëve të papërdorura e të hynte në jetën e gjallë. Suksesi do të arrihej në një fushë tjetër: Koncili bëri një spastrim të përgjithshëm në gjirin e Kishës, duke e riorganizuar fund e krye. E Kisha kishte vërtetë nevojë, sepse ishin dukur qëkur shenjat e para të pështjellimit. Nuk merrej vesh mirë kush duhej të ishte në krye të punëve. Ipeshkvijtë e ngarkuar për drejtimin e dioqezave, shpesh herë jetonin larg nga zona që u ishte caktuar e nuk i njihnin fare problemet e grigjës. Kështu meshtarët liheshin pas dore e nuk mund ta merrnin formimin e duhur, për të kryer misionin e tyre. Koncili nisi menjëherë përpjekjet për të vënë rregull në jetën e Kishës universale e të kishave vendase, duke ripërsëritur me ngulm cili duhet të ishte organizimi i tyre. Në krye të Kishës është papa, kryebariu i gjithë të krishterëve, i cili cakton përfaqësuesit e vet, ipeshkvijtë, që janë barinjtë e dioqezave. Për të qenë barinj të mirë, tani e tutje duhet të banojnë në dioqezë. Pastaj ipeshkvijtë përgatisin meshtarët, të cilët kanë për detyrë të edukojnë e të ndihmojnë. Prej këndej, priftërinjtë e rregulltarët, duke pasur përgatitjen e përshtatshme dhe ndihmën e ipeshkvit, mund të jenë barinj të mirë në famullitë e tyre… dmth, në gjirin e gjithë të krishterëve.
Falë këtij organizimi të mirëpërcaktuar, Kisha vijon ecjen përpara me forca të reja, sepse tashmë secili anëtar i saj e njeh mirë misionin e vet. Priftërinjtë e kryejnë me zell të madh detyrën e barinjve, që duhet t’i prijnë grigjës drejt Hyjit; nga ana e tyre, katolikët ndjehen të mbrojtur.
Pas Koncilit të Trentit, shenjtorë të mëdhenj do të lenë gjurmët e tyre të pashlyeshme në historinë e Kishës.
Në Koncil morën pjesë edhe ipeshkvijtë shqiptarë.









All the contents on this site are copyrighted ©.