2013-12-01 15:08:19

Papa viziton famullinë romake të Shën Çirilit Aleksandrin


Sot pasdite Papa Françesku ishte për vizitë baritore në famullinë romake të Shën Çirilit Aleksandrin. Ati i Shenjtë arriti në mjediset e famullisë në orën 16.00. Takimi i parë, me të sëmurët e të pagëzuarit gjatë vitit baritor në vijim. Pastaj, disa çaste në rrëfyestore, ku dëgjoi e zgjidhi disa besimtarë të famullisë.
Në orën 18.00 kryesoi liturgjinë eukaristike, gjatë së cilës i dha sakramentin e krezmimit një grupi të rinjsh.
Me Papën bashkëkremtuan kardinali Agostino Valini, ipeshkëv-ndihmës, prelatë, priftërinj e rregulltarë.
Është vizita e dytë e Papës Françesku në një famulli romake, pas asaj në Famullinë e Shenjtorëve Elizabeta e Zakaria, më 26 majin e kaluar.
Kujtojmë se famullia e Shën Çirilit Aleksandrin ndodhet në zonën lindore të Romës, që njihet si zona e Tor Sapienza. U realizua nga arkitekti Maicher Biagini, mbi një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrore. Ndërtesë moderne, është e pajisur me panele diellore termike për ngrohjen e sallës liturgjike, e me panele diellore fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike. Dallohet nga larg, falë këmbanares, me gjatësi 24 metra. U ndërtua pranë kishës së vjetër, në rrugën romake Karlo Balestrini, deri më 2012 seli e famullisë, sepse hapësira e kishës së vjetër nuk arrinte më t’u përgjigjej nevojave, në rritje, të popullsisë së zonës. U kushtua më 29 shtator 2012, katër vjet pas vënies së gurit të parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.