2013-12-01 14:01:00

Papa universitarëve: “Nuk duhet të jeni spektatorë, por protagonistë të sfidave bashkëkohore”


Dje, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku kremtoi Lutjet e para mbrëmësore të Kohës së Ardhjes, me studentët universitarë, natën e së Dielës së parë të kësaj Kohe të fortë liturgjike, e cila na përgatit për Krishtlindje.
Takimi, i organizuar nga Zyra e Vikariatit të Romës për baritorinë universitare, u hap në orën 16.00, nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini. Kardinali i priu lutjes përgatitore, pritjes së Ikonës “Maria, Selia e Dijes”, pajtore e mbarë studentëve universitarë dhe përsëritjes së premtimeve të fesë nga ana e studentëve të krezmuar.
Në orën 17.30, në Bazilikë hyri Papa, për të nisur, së bashku me studentët, Lutjet Mbrëmësore të kësaj nate, e para e Kohës së Ardhjes për Papën Françesku: “Nuk duhet të jeni spektatorë, por protagonistë të sfidave bashkëkohore”: kjo ishte porosia kryesore e Atit të Shenjtë.
Në përfundim të takimit, Ikona e Zojës, Seli e dijes, iu dorëzua një delegacioni universitarësh francezë, nga ana universitarëve brazilianë, që e mbajtën gjatë këtij viti.
E në përgatitje të kësaj Mbrëmësoreje me Papën, të premten, 29 nëntor, në orën 20.30, u kremtua një Mbrëmësore lutjesh në kapelën e Shën Tomës së Akuinit, pranë Universitetit Tor Vergata, kryesuar nga ipeshkvi-ndihmës, imzot Lorenco Leuci.









All the contents on this site are copyrighted ©.