Papa: Koha e Ardhjes na rikthen horizontin e shpresës. Thirrje për paqen dhe mjekimin
e të sëmurëve me Sidë
Koha e Ardhjes na rikthen horizontin e shpresës. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen
e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Në të Dielën e
parë të Ardhjes, Papa u dha zemër besimtarëve ta rizbulojnë bukurinë e shtegtimit
kah takimi me Jezusin dhe u lut për dhuratën e paqes. Në Ditën botërore kundër Sidës,
Ati i Shenjtë nuk harroi të bënte një thirrje të fuqishme, duke kërkuar që asnjë të
sëmuri të mos i mungojë kujdesi mjekësor, për të cilin ka nevojë.
Koha e Ardhjes.
Kohë shprese! Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua posaçërisht tek shtegtimi
i Popullit të Zotit drejt takimit me Jezusin dhe, në Ditën botërore kundër Sidës,
bëri thirrje në favor të atyre që, të prekur nga Hiv, mund ta humbasin fare shpresën: “U
shprehim afërsinë tonë njerëzve të prekur nga sëmundja, posaçërisht fëmijëve. Afërsi
shumë konkrete, përmes impenjimit të heshtur të shumë misionarëve dhe veprimtarëve.
Lutem për të gjithë, edhe për mjekët e njerëzit e impenjuar në kërkime shkencore.
Uroj që çdo i sëmurë, pa përjashtuar asnjërin, të ketë kujdesin e nevojshëm mjekësor”.
Para fjalëve në favor të të sëmurëve nga Sida, Papa nënvizoi se me fillimin
e Kohës së Ardhjes, nis shtegtimi i ri i Popullit të Zotit me Jezu Krishtin. Është
çast, vërejti, që ka një hir të veçantë: “Rizbulojmë bukurinë e shtegtimit
gjithë bashkë: Kisha, me thirrjen dhe misionin e saj, e njerëzimi mbarë, popujt, qytetërimet,
kulturat, të gjitha për udhë, nëpër shtigjet e kohës”. Po cili është caku
i këtij shtegtimi? - pyeti Papa. Në Besëlidhjen e Vjetër, nënvizoi, flitet për “shtegtim
universal” drejt Tempullit të Zotit, drejt Jeruzalemit: “Zbulesa gjeti në
Jezu Krishtin përmbushjen e plotë. Jezu Krishti është Tempulli i Zotit. Ai vetë u
bë Tempull, Fjalë e mishëruar: është Ai, prijësi; e njëkohësisht, edhe caku i shtegtimit
tonë, shtegtimit të mbarë popullit të Zotit; e nën dritën e Tij edhe popujt e tjerë
mund të ecin kah Mbretëria e drejtësisë, mbretëria e paqes”. Papa kujtoi
fragmentin, shkëputur nga Libri i Izaisë Profet, ku flitet për kohën kur fiset do
t’i kthejnë shpatat në palla parmendash; e heshtat, në drapërinj; një popull nuk ka
për të vringëlluar më shpatën kundër një populli tjetër e nuk kanë për t’u ushtruar
më në artin e luftës. E këtë fragment Papa e përsëriti dy herë, për ta pasuar me
një reflektim: “Po kur do të ndodhë kjo? Ç’ditë e bukur do të jetë kjo, në
të cilën armët do të çmontohen, për t’u shndërruar në mjete pune! Ç’ditë e bukur do
të jetë! E kjo është e mundur! Të vëmë bast për paqen, për shpresën në paqen, e do
ta shohim paqen”. Ashtu si në jetën e secilit nga ne ndjehet gjithnjë nevoja
për t’u rinisur, nënvizoi Papa, nevoja për t’u ringritur në këmbë, për të rigjetur
kuptimin dhe cakun e jetës, kështu edhe për familjen e madhe njerëzore është e nevojshme
gjithnjë të shikojë horizontin drejt të cilit shtegton: “Horizonti i shpresës!
Ky është horizonti për të bërë shtegtim të mirë. Koha e Ardhjes, që e nisëm sot përsëri,
na rikthen horizontin e shpresës, shpresës, që nuk të zhgënjen, sepse bazohet mbi
Fjalën e Zotit, shpresë, që nuk zhgënjen, thjesht sepse Zoti nuk zhgënjen kurrë”. Model
i kësaj sjelljeje shpirtërore, tha Papa, e edhe model i jetës e i shtegtimit në udhët
e jetës, është Virgjëra Mari, Vasha e thjeshtë, që ka në zemër gjithë shpresën e Zotit:“Në
kraharorin e saj, shpresa e Zotit u mishërua, u bë njeri, u bë histori: Jezu Krishti.
Magnificat, himni me të cilin madhëroi Zotin, është kënga e Popullit të Hyjit, nën
pushtetin e mëshirës së tij. Ta lëmë të na prijë Ajo, që është Nënë, e nëna e di mirë
si prihet. Ta lemë të na prijë në këtë Kohë pritjeje e vigjilimi veprues”.