2013-12-01 14:02:42

Fillon viti i ri kishtar


Sot filloi koha e Ardhjes dhe viti i ri liturgjik. Njerëzimi i ka matur stinët dhe vitet me diellin dhe hënën. Viti kalendarik, për shembull, është viti diellor. Kjo mënyrë e matjes së kohës nuk ka një qendër, sepse është rrotullim i përhershëm. Për të krishterët, koha ka një qendër dhe ajo është Krishti. Ai është dielli, nga i cili Kisha, si hëna, merr dritën për të ndriçuar stinët e botës. Jeta e Krishtit përqafon të gjitha stinët e jetës së njeriut, nga lindja deri tek vdekja, e përtej vdekjes. Në qendrën e jetës së Krishtit është ndodhia e pashkëve. Në pashkë, Fjala e bërë njeri, zbriti në thellësitë e vdekjes, për ta liruar njeriun nga vdekja, me ringjalljen, që mbetet për amshim. Vdekja është edhe shprehja më e dukshme e peshës së kohës, prandaj i Ringjalluri, si ai që e ka mundur vdekjen, i jep kuptimin e vërtetë dhe të thellë kohës, sepse e pastron nga hija e vdekjes. Të krishterët marrin pjesë çdo të diel në pashkët e Krishtit, nëpërmjet kremtimit të Eukaristisë, dhe e jetojnë kohën si përmasën, në të cilën Hyji zbulon dashurinë e tij shëlbuese.
Duke qenë Krishti qendra e kohës dhe çliruesi nga pesha e saj, Kisha kremton në kohë misteret e jetës së Krishtit dhe, nëpërmjet kremtimit, përjeton amshimin. Këtë të diel hapet viti kishtar me fillimin e pritjes së Ardhjes së Krishtit. Ai vjen për të na shpjeguar Hyjin, që, pa të, nuk arrijmë ta kuptojmë, për shkak të dhimbjes dhe të vuajtjes, për shkak të mëkatit dhe të keqes, të cilat e errësojnë fytyrën e Tij. Duke shpjeguar Hyjin brenda gjendjes sonë njerëzore, na shpëton nga kjo gjendje dhe na hap ndaj risisë, që amshimi derdh pambarim në kohën e njerëzve. Ardhja e tij kërkon vëmendjen tonë, prandaj këto katër javë shërbejnë për të na përgatitur, që ta shohim të pranishëm mes nesh, në thjeshtësinë e mishërimit, në mënyrë që të jemi të gatshëm për ta pritur me gëzim, kur të vijë me lavdi, në fundin e kohërave.
Kujtojmë se kohët e vitit liturgjik, që përbëjnë stinët e shpirtit, janë: Ardhja (4 javë), Krishtlindjet (nga 24 dhjetori deri të dielën pas festës së Dëftimit të Zotit), Kreshmët (5 javë) dhe Pashkët (7 javë). Ndërmjet këtyre kohëve shtrihet koha e zakonshme, ose Javët Gjatë Vitit. Këtë vit lexohet Ungjilli sipas Mateut.








All the contents on this site are copyrighted ©.