2013-11-29 12:56:14

Pakistan: Lirohet Junis Masih. Ishte dënuar me vdekje për blasfemi


Për të krishterët e Pakistanit kjo është një ditë gëzimi. Siç lajmëron agjencia Fides, 35-vjeçari i krishteerë Younis Masih u lirua dje, me vendim të Gjykatës së Apelit të Lahores. Masih ishte dënuar me vdekje për blasfemi nga një gjykatë e shkallës së parë në Lahore më 30 maj 2007. Çështja e tij u rihap në shtator 2012, kur disa organizata të krishtera, si “Legal Evangelical Association Development” (Lead), që ndihmonte familjen e të dënuarit, dorëzuan një ankesë, e cila përfundoi mirë. Masih është shpallur i pafajshëm më 3 prill, por është liruar përfundimisht dje. Junis Masih dhe familja e tij mbahen në një vend të fshehur, sepse, megjithëse është shpallur i pafajshëm, ekstremistët mund ta vrasin për shkak të asaj që ata quajnë blasfemi. Ai hyri në burg më 10 shtator 2005, në moshën 27 vjeçare. I deshën tetë vjet burg, para se gjykata e apelit ta shpallte të pafajshëm. Më 8 janar 2013 ka pësuar një goditje në zemër e mbetet i sëmurë. “Kam katër fëmijë e nuk kam punë, askush nuk më ndihmon. Jetoj me frikën se mund të vritem me gjakftohtësinë më të madhe” – i ka rrëfyer Masih avokatit të tij Mustak Gill. Ai ka përmendur edhe dy raste të tjera, të ngjashme me të tijin. Është fjala për Rimsha Masih, vajza me të meta mendore, e paditur rrejshëm për blasfemi e pastaj e liruar, sot me banim në Kanada, dhe për Asia Bibi, grua dhe nënë e krishterë, e dënuar me vdekje për blasfemi në 2010, sot në burgun e grave të Multanit, në krahët e vdekjes. Avokati Gill i tha agjencisë Fides se “të krishterët në Pakistan kanë frikë nga kërcënimet, dhuna, diskriminimi dhe urrejtja. Ligji i blasfemisë është përherë një shpatë Damokleu që rri pezull mbi kokat e tyre: nuk e kanë jetën të sigurt as pas lirimit nga burgu”. “U bëjmë thirrje vëllezërve t motrave të krishtera, që të luten për shpëtimin e Junis Masihut dhe të ndihmojnë familjen e tij”, përfundoi avokati Gill.








All the contents on this site are copyrighted ©.