2013-11-29 19:20:48

Filloi sot vizita baritore e kardinalit Filoni në Antile


Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, nisi sot vizitën e tij të parë baritore në Antile. Prefekti i Dikasterit Misionar arriti në Trinidad në orët e mesditës, me orën vendase.Pasdite, pas vizitës së mirësjelljes në selinë e presidentit Antoni Karmona, u takua me priftrinjtë, rregulltarët edhe administratorët e famullive, në Krepoe.
Nesër, në Seminarin kushtuar Shën Gjonit Vianej dhe Martirëve ugandezë, kardinali do të takohet me ipeshkvijtë, që bëjnë pjesë në Konferencën ipeshkvnore, ndërsa pasdite do të kryesojë bashkëkremtimin eukaristik të së dielës së parë të Kohës së Ardhjes, në pro-katedralen e San Fernandos, ku parashikohet të jetë i pranishëm edhe presidenti i Republikës.
Të diel, më 1 dhjetor, do të niset për Xhamajkë, ku pasdite do të kryesojë Meshën solemne për mbylljen e Vitit të Fesë, në katedralen e Kingstonit.
Më 2 dhjetor, vizita në Kastries, ku do të takohet me klerin dhe rregulltarët, për hapjen e Vitit të Ungjillëzimit, shpallur nga Kisha vendase.
Të nesërmen paradite, më 3 dhjetor, prefekti i Dikasterit Misionar do të kremtojë Meshën Shenjte për rregulltaret në Manastirin e Benediktineve e, më pas, do të niset për në Martinikë, ku do të takohet me priftërinjtë. Në përfundim të vizitës së tij baritore, më 3 dhjetor, festa e Shën Françesk Saverit, pajtor i misioneve, kardinali Filoni do të kryesojë Meshën solemne në Katedralen e Puantè-a-Pitrë’, në ishullin Guadalupa e, para se të marrë rrugën e kthimit, më 4 dhjetor, do të vizitojë disa institucione katolike në Baseterre.







All the contents on this site are copyrighted ©.