2013-11-28 13:37:13

Papa në takimin me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar: nuk nevojitet “vëllazërim i rremë”, secili të mbartë identitetin e vet


“Kisha Katolike është e vetëdijshme për vlerën, që ka nxitja e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave me tradita të ndryshme fetare”. Kështu tha paradite Papa Françesku, në audiencën me pjesëmarrësit e Asamblesë së përgjithshme të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, e cila përfundoi sot në Vatikan . E kuptojmë gjithnjë e më tepër rëndësinë e dialogut ndërfetar, shtoi Ati i Shenjtë, jo vetëm sepse bota, në një farë mënyre, bëhet gjithnjë e më e vogël, por edhe sepse fenomeni i emigracionit i rrit kontaktet ndërmjet njerëzve e bashkësive me traditë, kulturë e fe të ndryshme. Kjo është sfidë për të krishterët, nënvizoi Papa Françesku, duke kujtuar temën e asamblesë së dikasterit vatikanas “Anëtarë të traditave të ndryshme fetare në shoqërinë civile”:
“Vërtet, nuk mungojnë në botë, kontekste ku bashkëjetesa është e vështirë: shpesh, arsyet politike ose ekonomike u shtohen ndryshimeve kulturore e fetare, duke vënë në dukje edhe keqkuptimet e gabimet e së kaluarës: e gjithë kjo rrezikon të shkaktojë mosbesim e frikë. Ka vetëm një udhë për të fituar mbi frikën e është ajo e dialogut, e takimit të karakterizuar nga miqësia dhe respekti”.
Por Papa Françesku nuk foli për çdo lloj dialogu. Duke cituar Këshillimin Apostolik “Evangelii gaudium” nënvizoi:
“Të dialogosh nuk do të thotë të heqësh dorë nga identiteti yt, kur takon tjetrin e, as të bësh kompromise për fenë e moralin e krishterë. Përkundrazi, ‘hapja e vërtetë do të thotë të qëndrojmë të patundur në bindjet tona më të thella, me një identitet të qartë e të gëzueshëm’, e shi për këtë, në gjendje të kuptojë arsyet e të tjerëve, i aftë për marrëdhënie njerëzore plot respekt, i bindur se takimi me njeriun e ndryshëm prej nesh mund të jetë rast për vëllazërim, pasurim e dëshmi”.
Për këtë arsye, vazhdoi Ati i Shenjtë, dialogu ndëfetar dhe ungjillëzimi ecin së bashku, pa imponuar asgjë, por vetëm duke dëshmuar me gëzim fenë. Një takim, në të cilin secili do të linte mënjanë fenë e vet, do të bënte sikur hiqte dorë nga ç’ka më të shtrenjtë, tha Papa Françesku, nuk do të ishte aspak i sinqertë:
“Dialogu konstruktiv ndërmjet njerëzve me tradita të ndryshme fetare shërben edhe për të kapërcyer një frikë tjetër, që fatkeqësisht, e ndeshim gjithnjë e më shpesh në shoqëritë e shekullarizuara: frika ndaj traditave të ndryshme fetare e ndaj përmasës fetare si të tillë. Feja shihet si diçka e padobishme e madje, e rrezikshme: nganjëherë, pretendohet që të krishterët të heqin dorë nga bindjet e tyre fetare e morale në ushtrimin e profesionit”.
Bashkëjetesa me fetë e tjera, ngriti zërin Papa Bergolio, nuk do të thotë të heqim dorë nga përkatësia jonë fetare, duke u takuar në një lloj hapësire neutrale, ku nuk duhet të hyjnë bindjet fetare. Nuk është kjo shoqëria, e kuptuar si shtëpi e përbashkët:
“Nuk është e mundur të mendojmë për një vëllazërim ‘prej laboratori’. Sigurisht, është e nevojshme që gjithçka të bëhet duke respektuar bindjet e tjetrit, edhe të atyre, që nuk besojnë, por duhet të kemi guximin e durimin për t’u takuar me tjetrin ashtu siç jemi. E ardhmja është në bashkëjetesën, që respekton larminë, e jo në homologimin sipas një mendimi unik, teorikisht neutral… Jemi të bindur se kjo është rruga për arritjen e paqes në botë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.