2013-11-27 13:02:09

Kalendari i kremtimeve të Papës Françesku për dhjetorin e janarin


U botua kalendari i kremtimeve papnore për dhjetorin 2013 e janarin 2014.
Takimi i parë është ai, që do të mbahet në orën 17.30, të diel, më 30 dhjetor, kur universitarët romakë do të thonë, së bashku me Papën, Lutjet e para mbrëmësore të Kohës së Ardhjes.
Të nesërmën, në orën 18.00, Papa Françesku do të vizitojë famullinë romake të Shën Çirilit Aleksandrin e do të kryesojë liturgjinë eukaristike.
Por çka spikat në kalendar, janë kremtimet festive, duke nisur nga Akti i nderimit të Papës Françesku tek këmbët e shtatores së Zojës së Papërlyer, në Sheshin e Spanjës, në orën 16.00 të datës 8 dhjetor, për të arritur tek Mesha e Natës së Krishtlindjes, në Shën Pjetër, në orën 21.30 të 24 dhjetorit dhe tek Bekimi “Urbi et Orbi”, mesditën e Krishtlindjes, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit.
Viti do të përfundojë përsëri në Shën Pjetër, me kremtimin e “Te Deum”, kryesuar nga Papa, në orën 17.00 të 31 dhjetorit, e do të nisë të nesërmën, më 1 janar 2014, në orën 10.00, me Meshën e Solemnitetit të Nënës së Zotit, së Shenjtnueshmes Virgjër Mari, në përkim me Ditën e 47-të Botërore të Paqes.
Të hënën, më 6 janar, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, Papa Françesku do të kryesojë Meshën, në orën, 10.00, gjithnjë në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa një të diel më pas, më 12 janar, do të pagëzojë disa fëmijë, gjatë kremtimit tradicional në Kapelën Sikstine, duke nisur nga ora 9.45.









All the contents on this site are copyrighted ©.