2013-11-26 15:20:42

U paraqit në Vatikan, Këshillimi Apostolik i Papës Françesku, “Evangelii Gaudium”


“Evangelii gaudium: Këshillimi Apostolik i Papës Françesku shkruar në dritën e gëzimit për rizbulimin e burimit të ungjillëzimit në botën bashkohore”. Kështu e përkufizoi kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela, dokumentin e ri të Atit të Shenjtë, që u paraqit sot për shtypin në Vatikan. Me këtë Këshillim, të cilin Papa ua dha që të shtunën disa katekumenëve dhe Patrikëve të Kishave Lindore, ndihmohet Kisha Katolike të përvijojë rrugët e impenjimit të ardhshëm baritor. Ati i Shenjtë e fton të rikthehet në këndvështrimin profetik e pozitiv mbi realitetin, pa harruar vështirësitë. Papa Françesku i jep Kishës guxim dhe e nxit të shohë përpara, pavarësisht nga kriza aktuale, duke i kujtuar se Kryqi dhe Ringjallja e Krishtit janë pa dyshim, “flamuri i fitores” së saj. Në konferencën e sotme për shtyp folën edhe Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, imzot Lorenco Baldiseri dhe kryetari i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli. Përmbajtjen e Këshillimit Apostolik “Evagelii gaudium” (Gëzimi i Ungjillit) e shpjegoi imzot Rino Fizikela:
“Shtatë pika, të përmbledhura në pesë kapitujt e Këshillimit, përbëjnë shtyllat themelore të këndvështrimit të Papës Françesku për ungjillëzimin e ri: reforma e Kishës drejt misionit, tundimet e protagonistëve të punës baritore, Kisha e kuptuar si krejt populli i Zotit që ungjillëzon, homelia e përgatitja e saj, përfshirja e të varfërve në shoqëri, paqja dhe dialogu shoqëror, arsyet shpirtërore për impenjimin misionar. Filli, që i mban të lidhura këto tematika, është endur me dashurinë e mëshirshme të Zotit, i cili e kërkon çdo njeri për t’i treguar thelbin e zbulesës së Tij: jeta e secilit merr kuptim në takimin me Jezu Krishtin e në gazimin e ndarjes së kësaj përvoje dashurie me të tjerët”.
Imzot Lorenco Balsideri theksoi se Papa Françesku ka marrë parasysh shumë nga rezultatet e Sinodit të Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, për kolegjialitetin në Kishë, por edhe për ekumenizmin e dialogun me fetë e tjera. Sidomos ky i fundit paraqitet në tekst “si bisedë mbi jetën njerëzore, ose thjesht, siç propozojnë ipeshkvijtë e Indisë, si ‘mendje e hapur për të tjerët, bashkëndarje e gëzimeve dhe e dhimbjeve të tyre’”. Përsa i përket fesë myslimane, Papa Françesku kërkon të formohen mirë bashkëbiseduesit, jo vetëm sepse duhet ta njohin identitetin e tyre, por edhe sepse duhet të jenë të aftë t’i shohin vlerat e të tjerëve, t’i kuptojnë kritikat e tyre e të nxjerrin në dritë bindjet e përbashkëta. Imzot Baldiseri citoi një pjesë nga Këshillimi Apostolik “Evangelii gaudium”:
“Përballë episodeve të fondamentalizmit të dhunshëm, që na shqetësojnë, dashuria për besimtarët e vërtetë të Islamit duhet të na nxisë t’i shmangim përgjithësimet e urryera, sepse, siç mësojnë Patrikët Katolikë të Lindjes së Mesme, ‘ne e dimë se Islami i vërtetë dhe Kurani nuk kanë faj për dhunën’”.
Tema e stilit dhe e gjuhës së përdorur nga Papa Françesku në Këshillim u prek nga kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimin Shoqëror, imzot Klaudio Maria Çeli. Një temë – sfidë për Kishën në kohën e sotme:
“Papa Françesku vë në dukje: ‘nuk mund t’i bëjmë kurrë mësimet e Kishës të kuptohen lehtë e të vlerësohen mirë nga të gjithë. Feja e ruan gjithnjë një aspekt të kryqit, si diçka të padepërtueshme, që nuk heq asgjë nga vendosmëria për ta pranuar atë”. Më pas Papa na kujton se ‘ka gjëra, që kuptohen e vlerësohen vetëm duke u nisur nga ky pranim, vëlla me dashurinë, përtej qartësisë me të cilën mund të arsyetojmë, apo të argumentojmë mbi fenë’”.
Imzot Çeli nënvizoi idenë e theksuar nga Ati i Shenjtë, sipas së cilës, impenjimi ungjillëzues duhet të marrë parasysh gjuhën e rrethanat, në të cilat jetojnë njerëzit, në çastin kur u kumtohet Ungjilli i Krishtit. E përfundoi, duke vënë në dukje udhën e bukurisë, “via pulchritudinis”, ashtu siç e përshkruan Papa Françesku në “Evangelii gaudium”:
“Të kumtosh Krishtin do të thotë të tregosh se besimi dhe ndjekja e Tij nuk është vetëm diçka e vërtetë dhe e drejtë, por edhe e bukur, e aftë ta mbushë jetën me shkëlqim të ri e me gëzim të thellë… Duhet të marrim guxim e të gjejmë shenja të reja, simbole të reja, një brumë(mish) të ri për transmetimin e Fjalës, të përdorim format e ndryshme të bukurisë, që shfaqen në mjedise të ndryshme kulturore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.