2013-11-26 15:21:21

Papa: çasti është i njeriut, koha, e Zotit: Ai e ndriçon me shpresë


Njeriu mund të besojë se është sovran i çastit, por vetëm Krishti është zotërues i kohës. Pohim i Papës Françesku, ky, në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se lutja është virtyt, që të ndihmon ta jetosh si duhet çdo çast të jetës; e shpresa në Jezusin, ta shikosh pa frikë fundin e kohës.

Dy këshilla, për të kuptuar sa kalimtare është e sotmja e për t’u përgatitur për fundin e kohëve: lutja e shpresa. Lutja, njëherësh me arsyen, të ndihmon t’i deshifrosh çastet e ndryshme të jetës e të orientohesh kah Zoti. Shpresa është fanari rrezëllues, që ndriçon limanin e fundit, atë të një jete, por edhe, në kuptimin eskatologjik, atë të fundit të kohëve. Papa Françesku reflektoi për Ungjillin e ditës, në të cilin Jezusi u shpjegon besimtarëve në Tempull, atë që duhet të ndodhë, para se të marrë fund njerëzimi, duke i siguruar se as drama më e tmerrshme, nuk duhet ta flakë njeriun, që beson në Zotin, në kthetrat e dëshpërimit. Vërejti Papa: “Në këtë rrugë drejt fundit të shtegtimit tonë, të secilit prej nesh e edhe të mbarë njerëzimit, Zoti na jep dy këshilla të ndryshme, sipas mënyrës si jetojmë, sepse ndryshe është të jetosh në çast e ndryshe, në kohë”:
“E i krishteri është burri a gruaja, që di t’i jetojë çastin e kohën. Çasti është ky, që e kemi në dorë tani: por nuk është kohë. Kalon! Ndoshta-ndoshta ne mund ta ndjejmë veten zotër të çastit, por është e kotë të besosh se je edhe zotëria i kohës: koha nuk është e jona, është e Zotit! Çasti është në dorë tonë, e jemi të lirë ta kapim, si të duam. Për më tepër, ne mund edhe ta sundojmë çastin, por jo kohën: koha është nën pushtetin e një sovrani tjetër, e një Zoti të vetëm, Jezu Krishtit”.
Prandaj, vërejti Papa Françesku, duke cituar fjalët e Jezusit, nuk duhet të gënjehemi nga çasti, mbasi nuk do të mungojnë ata që, duke përfituar nga pështjellimi, do të paraqiten si Krishti. I krishteri, që është burrë a grua e çastit, duhet t’i ketë, pohoi Papa, këto dy virtyte, këto dy sjellje, për ta jetuar çastin: lutjen e arsyen. E sqaroi:
“Për t’i njohur shenjat e vërteta, për të njohur udhën, që duhet të marr në këtë çast, është e nevojshme dhantia e arsyes dhe lutja, për ta marrë mirë. Ndërsa për të parë kohën, e cila është në dorë të Zotit, Jezu Krishtit, ne nuk mund të kemi asnjë virtyt njerëzor. Virtyti për ta parë kohën, duhet të na jepet, të na dhurohet nga Zoti: është shpresa! Lutja e arsyeja për çastin; shpresa, për kohën!”.
E kështu, përfundon Papa Françesku, i krishteri ecën në këtë udhë çast pas çasti, duke u lutur, duke e peshuar çdo hap e duke e lënë kohën në dorë të shpresës:
“I krishteri di ta presë Zotin në çdo çast, por shpreson në Zotin në fundin e kohëve. Është burrë a grua e çastit dhe e kohës: e lutjes, e arsyes, e shpresës. Zoti na dhëntë hirin të ecim me urti, edhe kjo dhuratë e Tij: me urtinë që, në çast, të na nxisë të lutemi e të mendojmë. E në kohën, që është lajmëtare e Zotit, të jetojmë me shpresë”.










All the contents on this site are copyrighted ©.