2013-11-26 11:52:14

Papa pret presidentin rus Putin: bisedohet për paqen në Siri e në Lindjen e Mesme dhe për sigurinë e të krishterëve


Situata e rëndë në Siri, paqja në Lindjen e Mesme dhe roli themelor i të krishterëve në shoqëri, ishin në qendër të bisedimeve të Papës Françesku me presidentin rus Putin, i cili u prit mbrëmë, për herë të katërt, në Vatikan, pas dy takimeve të tjera, në vitin 2000 dhe 2003, me Gjon Palin II e, në vitin 2007, me Benediktin XVI.

Biseduan përzemërsisht Papa Françesku me liderin e Kremlinit, që i solli Atit të Shenjtë edhe përshëndetjen e Patrikut të Moskës Kirill e i dhuroi ikonën e Zojës së Bekuar, i ndjekur nga telekamerat duke bërë me devocion shenjën e Kryqit e duke puthur me nderim të thellë ikonën.
“Kënaqësi për marrëdhëniet e mira dypalëshe”: ky ishte bilanci i vizitës nga ana e Vatikanit. Duke shkëmbyer mendime rreth çështjeve me interes të përbashkët, biseda u ndalua posaçërisht tek jeta e bashkësisë katolike në Rusi dhe kontributi themelor i krishterimit në shoqëri, posaçërisht në mbrojtjen edhe promovimin e vlerave, që kanë të bëjnë me dinjitetin e njeriut, mbrojtjen e jetës njerëzore dhe të familjes. U fol edhe për situatën e rëndë të të krishterëve në disa zona të botës, duke i kushtuar vëmendje të posaçme paqes në Lindjen e Mesme e në Siri. Presidenti Putin e falënderoi Papën për letrën, dërguar G20, mbledhur në Shën Pjetërburg. U nënvizua edhe urgjenca e përfundimit të dhunës në Siri, për t’i dhënë ndihmën e duhur humanitare popullsisë e për të favorizuar nisma konkrete në favor të zgjidhjes paqësore të konfliktit, duke zgjedhur rrugën e dialogut, me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve të feve dhe të etnive të ndryshme e duke ua njohur edhe rolin e pamohueshëm në shoqëri.









All the contents on this site are copyrighted ©.