2013-11-26 15:21:05

Një Kishë me porta të hapura: botohet Këshillimi apostolik i Papës “Evangelii Gaudium”


“Gëzimi i Ungjillit e mbush plot zemrën dhe gjithë jetën e atyre, që takohen me Jezusin”: nis kështu Këshillimi Apostolik “Evangelii Gaudium”, në të cilin Papa Françesku zhvillon temën e kumtimit të Ungjillit në botën e sotme, duke përmbledhur, ndërmjet tjerash, ndihmesën e punimeve të Sinodit, që u mbajt në Vatikan nga 7 deri më 28 tetor, me temë: “Ugjillëzimi i ri për transmetimin e fesë”. Ju ftojmë të ndiqni përmbledhjen e dokumentit:

Përmes këtij Këshillimi, Papa shpjegon disa elemente, “për udhën që duhet të përshkojë Kisha në vitet e ardhshme” .
Po nënvizojmë pesë prej tyre:
Pika e parë: “Etapa e re e ungjillëzimit, e përshkuar nga gëzimi”. Është thirrje e fuqishme drejtuar gjithë të pagëzuarve, që t’ua çojnë, me zell e gjallëri të re, të tjerëve, dashurinë e Krishtit, gëzimin dhe bukurinë e miqësisë së Tij, duke e ndjerë veten gjithnjë në mision . Në gojën e të krishterit duhet të tingëllojë rishtas kumti, a ‘kerygma’: “Jezu Krishti të do, dha jetën për shpëtimin tënd, e tani është i gjallë përkrah teje, nëse dëshiron të ndriçohesh, të përforcohesh, të çlirohesh!

Pika e dytë: Përtëritje e frymë krijuese”, duke nisur nga rikthimi “në freskinë e zanafillës së Ungjillit”. “Duhet të bëjmë kthesë baritore e misionare, që nuk mund t’i lërë gjërat kështu, siç janë, si dhe ‘reformë të strukturave’ kishtare, që të jenë të gjitha më misionare”. Papa mendon edhe për kthesën e papnisë, në një rrugë kolegjialiteti më të thellë e decentralizimi më të shëndoshë. Duhen gjetur rrugë të reja e metoda me frymë krijuese, e jo më pak, duhen njohur edhe zakonet e Kishës, që nuk lidhen drejtpërdrejtë me bërthamën e Ungjillit, disa nga të cilat, shumë të rrënjosura në rrjedhë të historisë: “Nuk kemi frikë t’i rishikojmë”. Nënvizohet edhe nevoja për thellimin e përgjegjësisë së laikëve, që mbahen larg vendimeve nga klerikalizmi i tepruar e për zgjerimin e hapësirave të pranisë femërore më energjike në Kishë, posaçërisht në vende të ndryshme, ku merren vendime të rëndësishme.

Pika e tretë. “Kisha duhet të jetë mikpritëse dhe e mëshirshme”. Papa e fton Kishën t’i ketë të gjitha portat e hapura. Kisha është vendi i mëshirës, jo i dënimit, sepse Zoti nuk lodhet kurrë duke falur. “As portat e Sakramenteve nuk duhen mbyllur për arsye të rëndomta. Kështu, Eukaristia nuk është çmim për njerëzit e përkryer, por ilaç bujar e shujtë për të ligshtët”. Këto bindje kanë edhe pasoja baritore, që duhen shqyrtuar me urti e guxim. Papa Françesku ripohon se i pëlqen më shumë një Kishë e plagosur, e ndotur me baltën e rrugëve, sesa një Kishë e mbyllur brenda katër mureve...e ngatërruar në lëmshin e anktheve e të procedimeve. Nëse ka ndonjë send, që duhet të na shqetësojë shenjtërisht. .. është se shumë nga vëllezërit tanë jetojnë pa miqësinë e Jezusit. Kumtimi i Ungjillit duhet të ketë cilësi pozitive: afërsi, respekt, dhimbsuri, durim për lodhjen, që kërkon udha e fitimit të pjekurisë. Edhe homelitë e priftërinjve duhet t’i shmangen predikimit pastërtisht moralist ose indoktrinues. Duhet të jenë pozitive, që të mos lënë pas njerëz në pranga, në burgun e së keqes, por të japin gjithnjë shpresë.

Pika e katërt. “Dialogu e takimi”: me të krishterët e tjerë (ekumenizëm e udhë e domosdoshme ungjillëzimi), me fetë e tjera (kusht i nevojshëm për paqen në botë) e edhe me ata, që nuk besojnë. Dialogu duhet zhvilluar me një përkatësi të qartë e të gëzueshme. Nuk të ngrys ungjillëzimi. Posaçërisht, Papa vëren se në këtë epokë kanë vlerë të veçantë marrëdhëniet me myslimanët. I fton vendet e traditës islamike “t’u sigurojnë lirinë fetare të krishterëve, duke pasur parasysh edhe lirinë, që gëzojnë besimtarët e Islamit në vendet perëndimore!”.
Kundër përpjekjes për t’i privatizuar fetë, pohon se “respekti për pakicat e agnostikëve e të atyre që nuk besojnë, nuk duhet ta detyrojë të heshtë shumicën e besimtarëve”.

Pika e pestë. “Kisha të jetë profetike”: e aftë të flasë me guxim... edhe kundër rrymës”. Papa kujton rishtas dashurinë e Kishës për të varfërit. Kërkon “një Kishë të varfër, për të varfërit”. Denoncon sistemin e sotëm ekonomik si të padrejtë që në rrënjë. “Ekonomi që vret”, sepse në të sundon “ligji i më të fortit”. Kultura e sotme e përjashtimit, krijoi diçka të re: të përjashtuarit nuk janë ‘të shfrytëzuar”. Janë të flakur jashtë nga radhët e shoqërisë, hedhurina. Ndërmjet këtyre njerëzve të ligësht, që Kisha dëshiron t’i ketë nën kujdes, janë fëmijët e palindur, më të pambrojturit e më të pafajshmit nga të gjithë. Nuk është përparimtare të pretendosh se problemet mund të zgjidhen, duke zhdukur jetë njerëzore.
Familja, vijon Papa, po kalon krizën më të thellë kulturore. “E kjo favorizon një stil jete, që i zvetënon lidhjet familjare”. Ati i Shenjtë denocon edhe rastet e persekutimit të të krishterëve”.

Këshillimi përfundon me një lutje drejtuar Zojës së Bekuar, Nënë e Ungjillëzimit: “Me sytë e ngulur tek Nëna e Zotit, të besojmë përsëri në forcën revolucionare të dashurisë e të dhimbsurisë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.