2013-11-26 11:52:40

Intervista e Papës me Atë Spadaron - dikasteret romake dhe ekumenizmi


Papa i parë rregulltar pas 182 vjetësh...

Papa Françesku është Papa i parë që del nga një Urdhër rregulltar pas Gregorit VII, kamaldolez, që u zgjodh në 1831, para 182 vjetësh. E pyes Papën: "Cili është sot vendi specifik i rregulltarëve dhe rregulltareve në Kishë?"
"Rregulltarët janë profetë. Janë ata që kanë zgjedhur ta ndjekin Jezusin, duke imituar jetën e tij me bindje ndaj Atit, me varfëri, duke jetuar në bashkësi dhe në pastërti. Në këtë kuptim, kushtet nuk mund bëhen karikatura, përndryshe, për shembull, jeta në bashkësi kthehet në ferr dhe pastërtia në një stil jete prej njerëzish që kanë ngelur pa u martuar. Kushti i pastërtisë duhet të jetë kushti i pjellorisë. Rregulltarët janë të thirrur për të qenë kryesisht profetë, që dëshmojnë si ka jetuar Jezusi mbi këtë tokë dhe shpallin si do të jetë Mbretëria e Hyjit në përsosmërinë e saj. Rregulltari nuk duhet të heqë dorë kurrë nga profecia. Kjo nuk do të thotë se duhet t'i kundërvihet pjesës hierarkike të Kishës, edhe pse funksioni profetik nuk përkon me funksionin hierarkik. Flas për një parashtrim gjithmonë pozitiv, por që nuk duhet të jetë frikacak. Le të sjellim ndër mend çfarë kanë bërë shumë murgj të mëdhenj e të shenjtë, rregulltarë e rregulltare, që nga shën Antoni abat. Të jesh profet do të thotë, nganjëherë, të bësh ruido (zhurmë), nuk di si të them... Profecia bën zhurmë, poterë, dikush thotë 'rrëmujë'. Por në fakt, karizma e saj është të jetë tharm: profecia shpall frymën e Ungjillit.

Dikasteret romake, sinodaliteti, ekumenizmi

Duke mbajtur parasysh përmendjen e hierarkisë, e pyes Papën: “Çfarë mendoni për dikasteret romake?”
“Dikasteret romake janë në shërbim të Papës dhe të Ipeshkvinjve: duhet të ndihmojnë qoftë Kishat e veçanta, qoftë Konferencat ipeshkvore. Janë mekanizma ndihmës. Në disa raste, kur nuk kuptohen si duhet, rrezikojnë të bëhen organizma të censurës. Një gjë që bën shumë përshtypje është numri i padive për mungesë ortodoksie, që vijnë në Romë. Unë besoj se këto raste duhet të studiohen nga Konferencat ipeshkvore vendore, të cilave mund t’u shkojë një ndihmë e vlefshme nga Roma. Këto raste trajtohen më mirë në vend. Dikasteret romake janë ndërmjetësuese, jo ndërmjetëse apo administruese”.
I kujtoj Papës se më 29 qershorin e kaluar, gjatë ceremonisë së bekimit dhe të vendosjes së paliumit 34 karqipeshkvinjve metropolitë, ka pohuar se “rruga e sinodalitetit” është rruga që e bën të rritet Kishën e bashkuar “në harmoni me shërbesën e parisë (së Papës)”. Pyetja ime, atëherë, është kjo: “Si mund të pajtohen në mënyrë të harmonishme paria petrine dhe sinodaliteti? Cilat janë udhët e përshkueshme, duke mbajtur parasysh edhe ekumenizmin?”
“Duhet të ecim së bashku: njerëzit, Ipeshkvi e Papa. Sinodaliteti duhet jetuar në nivele të ndryshme. Ndoshta ka ardhur koha për ta ndryshuar metodologjinë e Sinodit, sepse metodologjia aktuale më duket statike. Kjo mund të ketë edhe vlerë ekumenike, veçanërisht me vëllezërit tanë ortodoksë. Prej tyre mund të mësohet më shumë domethënia e kolegjialitetit ipeshkvor dhe tradita e sinodalitetit. Orvatja për një përsiatje të përbashkët, duke parë si qeverisej Kisha në shekujt e parë, para çarjes midis Lindjes e Perëndimit, do t’i japë frytet kur të vijë koha. Në marrëdhëniet ekumenike është e rëndësishme kjo gjë: jo vetëm të njihemi mirë, por edhe të pranojmë atë që ka mbjellë Shpirti i Shenjtë tek të tjerët, si dhuratë edhe për ne. Dua të vijoj përsiatjen mbi mënyrën e ushtrimit të parisë petrine, që është filluar në 2007 nga Komisioni i Përzier, dhe që ka sjellë firmosjen e dokumentit të Ravenës. Duhet të vijojmë në këtë rrugë”.
Përpiqem të kuptoj si e sheh Papa të ardhmen e Kishës. Më përgjigjet: “Duhet të ecim të bashkuar, duke ruajtur larminë. Nuk ka rrugë tjetër drejt bashkimit. Kjo është rruga e Jezusit”.
Po roli i gruas në Kishë? Papa e ka përmendur këtë temë në disa raste. Në një intervistë ka pohuar se prania femërore në Kishë nuk është shfaqur aq shumë, sepse tundimi i maskilizmit nuk ka lënë vend që të dalë në pah roli që u takon grave në bashkësi. Ai është ndalur edhe një herë tek kjo çështje gjatë kthimit nga Rio de Zhanejro, dhe ka pohuar se nuk është bërë ende një teologji e thelluar e gruas. Atëherë e pyes: “Cili duhet të jetë roli i gruas në Kishë. Çfarë duhet bërë që të dalë më shumë në pah sot?”.
“Është e domosdoshme të zgjerohen hapësirat e një pranie femërore më ndikuese në Kishë. I trembem zgjidhjes së “mashkullorisë me fustan”, sepse gruaja ka strukturë të ndryshme nga burri. Por gjërat që dëgjoj mbi rolin e gruas janë shpesh të frymëzuara pikërisht nga ideologjia mashkulloriste. Gratë janë duke shtruar pyetje të thella, që duhen përballur. Kisha nuk mund të jetë vetvetja pa gruan dhe rolin e saj. Gruaja është e pamënjanueshme për Kishën. Maria, pra një grua, është më e rëndësishme se Ipeshkvinjtë. Këtë e them sepse nuk duhet të ngatërrojmë funksionin me dinjitetin. Pra, duhet ta kuptojmë më thellë figurën e gruas në Kishë. Duhet të punojmë më shumë për të bërë një teologji të thellë të gruas. Vetëm duke hedhur këtë hap mund të përsiatet më mirë mbi funksionin e gruas brenda Kishës. Gjenia femërore është e domosdoshme në vendet ku merren vendime të rëndësishme. Sfida e sotme është pikërisht kjo: të përsiatet mbi vendin specifik që i takon gruas, edhe mu aty ku ushtrohet autoriteti në rrafshe të ndryshme të Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.