2013-11-25 16:41:57

Të ndërtojmë ura vëllazërimi me Kishat e tjera: kështu u tha Papa, besimtarëve greko-katolikë ukrainas


“Mënyra më e mirë për të kremtuar shën Jozafatin është ta duam njëri-tjetrin”. Kështu u tha sot paradite Papa Françesku, rreth 5 mijë shtegtarëve greko-katolikë ukrainas, të mbledhur në Bazilikën e Vatikanit. Erdhën në Romë me rastin e 50-vjetorit të bartjes së relikeve të martirit ukrainas në Bazilikën e Shën Pjetrit. Para mbërritjes së Papës, shtegtarët ukrainas, ardhur edhe nga Bjellorusia, morën pjesë në Liturgjinë eukaristike, kremtuar nga kardinali Leonardi Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, së bashku me kryeipeshkvin e madh të Kishës greko-katolike ukrainase, Fortlumturia e Tij, Sviatoslav Shevçuk. Bashkëkremtuan ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës greko-katolike ukrainase.RealAudioMP3
Bashkimi i të gjithë atyre, që i përkasin Krishtit, tha Ati i Shenjtë, na bën të shijojmë që tani amshimin. Njëra prej karakteristikave më të rëndësishme të tij, është “vëllazërimi plot gëzim ndërmjet shenjtorëve”. Papa Françesku kujtoi se qe pikërisht shën Jozafati, ky martir ukrainas, që foli për bashkimin e shenjtorëve. Ai iu kushtua jetës murgare, sipas Rregullës baziliane, dhe u impenjua për ta reformuar Urdhërin e tij. Kështu lindi Urdhëri i ri Bazilian i Shën Jozafatit. Papa kujtoi se Pali VI, në vitin 1963, deshi që trupi i shenjtit të vendosej në elterin kushtuar Shën Bazilit të Madh, pranë varrit të Shën Pjetrit. Kjo, për shkak se shën Jozafati përdori të gjitha forcat – si besimtar i thjeshtë, si murg e pastaj si ipeshkëv i Polotskut – “për bashkimin e Kishës nën udhëheqjen e Pjetrit, Princit të Apostujve”. E nëse ky është bashkimi në Kishë, pohoi Papa Françesku, “çdo aspekt i jetës sonë të krishterë duhet të frymëzohet nga dëshira për të ndërtuar së bashku… për të dëshmuar së bashku fenë”:
“Në këtë udhë, na shoqëron e është në qendër, Jezu Krishti, Zoti i ngjallur. Kjo dëshirë për bashkim na nxit të përpiqemi për ta kuptuar tjetrin, për ta respektuar, për ta mirëpritur e për ta ndrequr vëllazërisht. Të dashur vëllezër e motra, mënyra më e mirë për të kremtuar shën Jozafatin është ta duam njëri-tjetrin e t’i shërbejmë unitetit të Kishës”.
Na përkrahin në këtë udhë, vazhdoi Ati i Shenjtë, edhe dëshmitë e guximshme të sa e sa martirëve të kohëve të fundit, që janë ngushëllim për Kishën ukrainase. Papa ftoi të ndërtohen ura vëllazërimi për t’i lidhur besimtarët e krishterë:
“Uroj që bashkimi i thellë, të cilin dëshironi ta thelloni çdo ditë brenda Kishës Katolike, t’ju ndihmojë të ndërtoni ura vëllazërimi edhe me Kishat e tjera e me bashkësitë kishtare në tokën ukrainase e kudo tjetër, ku janë të pranishme këto bashkësi”.
Para se të fliste Papa, në përfundim të meshës, kardinali Leonardo Sandri e përshëndeti Atin e Shenjtë, duke kujtuar rëndësinë e bashkimit me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Nuk duhet harruar kurrë, theksoi ai, ç’i shtyu paraardhësit tuaj të qëndrojnë të bashkuar me Kishën e Romës, pa hequr dorë nga të qenit Kishë Lindore. Vendimi i tyre është profeci për bashkimin edhe sot, theksoi kardinali. Nuk duhet pasur frikë nga ky realitet, por duhet njohur e promovuar







All the contents on this site are copyrighted ©.