2013-11-25 16:41:44

Papa Françesku: të krishterët t’u çojnë dashuri e shpresë të varfërve për fe


Feja është baza e përvojës së të krishterit. Besimtari në Krishtin është i thirrur t’ua dëshmojë atyre, të cilët nuk e morën këtë dhuratë e kanë nevojë për shpresë. Është porosia e Papës në audiencën me 300 vullnetarët e Vitit të Fesë, që përfundoi dje. Posaçërisht kur vuan, i krishteri jep provën e fesë, duke e lëshuar veten plotësisht në krahët e Zotit, theksoi në mënyrë të veçantë Ati i Shenjtë.RealAudioMP3

Në epokën kur fjala varfëri të kujton skena krize e mjerimi, shpesh tepër tronditëse, Papa Françesku nxori nga skutat atë, që mund ta quajmë varfëria e varfërive. Nuk është varfëri e njerëzve, që u mungon buka, por e atyre, që u mungon gjëja kryesore: feja. Varfëri për fe, e quajti Ati i Shenjtë. Para tij, nën afresket e Sallës Klementine, ishin ulur vullnetarët, që bashkëpunuan me dikasterin e Ungjillëzimit të Ri në veprimtaritë e shumta të Vitit të Fesë. “Shërbim i çmuar” e quajti Papa, e edhe fisnik që, ju vetë, para të tjerëve, nënvizoi, ju mësoi ta hapni zemrën për takimin me të tjerët, posaçërisht me ata, që nuk e njohin fenë, as shpresën:
”Kjo është e rëndësishme, madje, do të thosha, themelore! Posaçërisht t’ua hapësh zemrën atyre, që nuk kanë fe e as shpresë në jetë. Flasim shumë për varfërinë, por jo gjithnjë mendojmë se ka edhe të varfër për fe. E janë shumë…. Shumë njerëz, që kanë nevojë për një gjest njerëzor, një buzagaz, një fjalë të vërtetë, një dëshmi, përmes së cilës ta prekin me dorë afërsinë e Jezu Krishtit. Uroj të mos i mungojë askujt ky gjest dashurie e përdëllimi, që lind nga feja”.
Së bashku, pati kujtuar më parë Papa Françesku, duhet ta lavdërojmë me të vërtetë Zotin për thellësinë shpirtërore e zellin apostolik, që nxitën nismat e shumta baritore të këtyre muajve, në Romë e në të katër anët e botës. Ne, vijoi, mund të dëshmojmë se feja e Krishtit është e aftë të na i ngrohë zemrat, duke na bërë vërtet forcë shtytëse për ungjillëzimin e ri. E sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për bashkësi të krishtera, të impenjuara në një apostullim të guximshëm, që shkojnë t’i kërkojnë njerëzit në mjediset e tyre, edhe në ato më të vështirat, duke u dëshmuar fenë në Krishtin:
“Feja është vena e pashterrshme e gjithë veprimtarisë sonë, në familje, në punë, në famulli, me miqtë, në mjedise të ndryshme shoqërore. E kjo fe e fortë, e vërtetë, shihet posaçërisht në çaste vështirësish e provash: atëherë i krishteri e lëshon veten plotësisht në krahët e Zotit, në gjirin e Tij, i sigurtë se ia besoi vetveten një dashurie të fortë si shkëmbi i pashkatërrueshëm. Pikërisht në çaste vuajtjesh, nëse e lëshojmë krejt vetveten përvujtërisht në dorën e Zotit, mund të japim dëshminë më të mirë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.