2013-11-24 13:45:23

“Mos harroni kurrë se Jezusi na sheh, Ai është besnik e nuk do t’ju tradhtojë”: kështu Papa Françesku, katekumenëve


“A jeni gati të ecni sot përgjatë kësaj udhe, nën udhëheqjen e Krishtit?”. Kjo qe njëra nga pyetjet rituale, që Papa Françesku u drejtoi dje pasdite 35 katekumenëve, të cilët i priti në hyrje të Bazilikës së Vatikanit, para kremtimit të Liturgjisë së Fjalës. Përfaqësonin 500 kandidatë për Pagëzim, nga 47 kombe të ndryshme, të pranishëm në këtë takim me Atin e Shenjtë. Ndër ta edhe shqiptarë. Vërtet, lutja e besimtarëve u tha edhe në gjuhën shqipe:
“Që Ati Qiellor t’u dëftojë çdo ditë e më shumë Krishtin, Birin e Tij, të lutemi”
Të mrekullueshme, dëshmitë në gjuhë të ndryshme të botës. Në italisht:
“Iu afrova Kishës Katolike para dy vjetëve, kur, në universitet, u njoha me një vajzë, që më bindi të shkoj në katekizëm…”
Në spanjisht:
“Për shumë kohë kam qenë vërtet e inatosur me Zotin, sepse më patën thënë se Ai ma kishte marrë nënën e këtë s’mund ta pranoja. Si mund t’ia merrte Zoti nënën një fëmije kaq të vogël? Vendosa ta sfidoj Zotin: ‘Nëse je vërtEt i mirë – i thashë – ma dëshmo me vepra”. E përgjigjja erdhi: kuptova se Zoti më donte e dëshironte të hyja më thellë në marrëdhënie me Të”.
Në anglisht:
“Gjatë gjithë jetës kam besuar në Zotin, por nuk kam gjetur kurrë ndokënd, që ta ndante këtë besim me mua. Tani që jam 30 vjeç, ndjej nevojën të marr Sakramentet e ta jetoj plotësisht fenë. I jam afruar Kishës kur isha bosh përbrenda e ky boshllëk, u mbush”.
Vazhduan dëshmi të tjera, të cilat përfunduan me dëshminë e një çifti katekistësh italianë. Më pas, Papa Françesku priti 35 katekumentët, kremtoi Liturgjinë e Fjalës e u mbajti atyre katekizmin e tij, përqendruar në shtjellimin e leximeve liturgjike. Në Ungjillin sipas Gjonit (1,35-42), që u lexua dje, shën Gjon Pagëzuesi u tregon Jezusin dy dishepujve dhe e quan Qingji i Hyjit. Nga ky Ungjill, Ati i Shenjtë zgjodhi tri çaste, që të kujtojnë katekumenatin. Së pari, dëgjimi:
“Edhe ju, të dashur katekumenë, keni dëgjuar ata, që ju kanë folur për Jezusin dhe ju kanë propozuar ta ndiqni, duke u bërë dishepuj të Tij përmes Pagëzimit. Në mes të zërave shurdhuese rreth nesh e brenda nesh, ju dëgjuat e pranuat atë zë, që ju tregonte se Jezusi është i vetmi, i cili mund t’i japë kuptim të plotë jetës suaj”.
Çasti i dytë, që zgjodhi Papa, qe takimi. Pasi u takuan me Mësuesin, dishepujt ndjenë diçka të re në zemër: nevojën për t’ua transmetuar të tjerëve gëzimin e shpirtit, në mënyrë, që edhe ata të takonin Zotin. Por është Hyji, ai që vjen i pari drejt nesh, theksoi Papa:
“Ai na paraprin e na pret gjithmonë. Nuk largohet prej nesh, por ka durim e pret çastin e favorshëm për t’u takuar me secilin prej nesh. E kur takohet me ne, nuk është kurrë me nxitim, sepse Zoti dëshiron të rrijë gjatë me ne, për të na përkrahur, për të na ngushëlluar, për të na dhuruar gëzimin e Tij. Zoti ka ngut të na takojë, por nuk nxiton kurrë të ikë. Ashtu si ne kemi etje për Të dhe e dëshirojmë, ashtu edhe Ai ka dëshirë të rrijë me ne, sepse ne i përkasim, jemi “gjë” e Tij, jemi krijesat e Tij. Edhe Ai, mund të themi se ka etje për ne, për të na takuar”.
Së treti, Ungjilli fliste për ecjen, për rrugën. Dy dishepujt ecin drejt Jezusit e pastaj bëjnë një copë rrugë me Të:
“Është mësim i rëndësishëm për të gjithë ne. Feja është udhë me Jezusin: kujtojeni gjithmonë këtë. Fe do të thotë të ecësh me Jezusin. Është rrugë, që zgjat gjithë jetën. Në fund, Ai do të jetë aty. Sigurisht, nganjëherë do ta ndjejmë veten të lodhur e të hutuar. Por feja na jep sigurinë e pranisë së vazhdueshme të Jezusit, në çdo situatë, edhe në më të dhimbshmen e më të vështirën për t’u kuptuar. Jemi të thirrur të ecim për të hyrë gjithnjë e më shumë brenda misterit të dashurisë së Zotit, që e kemi mbi krye e na mundëson të jetojmë me qetësi e shpresë”.
Papa Françesku iu drejtua më pas katekumenëve, të cilëve u uroi të ecin në udhën e takimit me Krishtin, me gëzim, duke e kujtuar gjithnjë ditën e orën, kur e kanë ndjerë për herë të parë se sytë e Zotit ishin kthyer drejt tyre:
“Mos e harro kurrë këtë vështrim të Jezusit për ty, për ty, e edhe për ty… Mos e harro kurrë këtë vështrim! Është vështrim dashurie! E kështu, do të jeni gjithnjë të sigurtë për dashurinë besnike të Hyjit. Ai është besnik. Të jeni të sigurtë: Ai nuk do t’ju tradhtojë kurrë!”
Në fund të ritit, një ftesë e një inkurajim:
“E tani, shkoni në paqe, por me shumë paqe. E ju them edhe: shkoni të mbushur me gëzim, sepse Zoti ju ka parë, Zoti ju do, Zoti është për udhë me të gjithë ju”.








All the contents on this site are copyrighted ©.