Doli në botim vëllimi VI i Veprës së Plotë të Joseph Ratzinger-it. Përfshin tre vëllimet
e librit “Jezusi i Nazaretit”
Vijon, pranë shtëpisë botuese të Vatikanit, dalja e vëllimeve të Joseph Ratzinger-it,
që bëjnë pjesë në veprën e plotë. Pas vëllimit XI, “Teologjia e liturgjisë” (2010)
dhe XII, “Lajmëtarë të Fjalës dhe shërbëtorë të gëzimit tuaj” (2013), del pjesa e
parë e dy librave që përbëjnë vëllimin e gjashtë. Vëllimi titullohet “Jezusi i Nazaretit
– Figura dhe mesazhi” , përmban tre vëllimet mbi Jezusin, që janë botuar në vitet
2007, 2011, 2012, dhe është botimi i fundit i rishikuar dhe i ndrequr i tyre. Pjesa
e dytë, që është duke u përkthyer, do të përmbajë botime të tjera të Joseph Ratzinger-it
mbi kristologjinë dhe do të ketë si nëntitull: “Shkrime për kristologjinë”. Në
parathënien e këtij vëllimi, kryetari i Kongregatës për Doktrinën e Fesë shkruan:
“Duke përfshirë, në Veprën e Plotë, tre vëllimet mbi Jezusin e Nazaretit, botuar gjatë
viteve të papnimit të Papës Benedikti XVI, njihet vlera e hulumtimit të pashtershëm
që e ka udhëhequr gjithmonë Jeseph Ratzinger-in në përgatitjen e dorëshkrimit. Ka
gjashtëdhjetë vjet që temat e kristologjisë zënë vendin qendror në veprimtarinë e
tij të mësimdhënies si profesor universitar, si ipeshkëv e si Papë”. Në udhëzimet
e botimit shkruhet: “Rendi kohor i që është caktuar për mbledhjen e këtyre tre vëllimeve
nuk përkon me rendin kronologjik të botimit të tyre, sepse ndjek kronologjinë e Ungjijve.
Në këtë kuptim, libri i fundit, ‘Fëmijëria e Jezusit’, është vënë në fillim të këtij
vëllimi. Vijon ‘Nga pagëzimi në Jordan deri tek Shndërrimi’ dhe, në fund, ‘Nga hyrja
në Jeruzalem deri tek Ringjallja’. Trilogjia mbi Jezusin e Nazaretit është përfshirë
në Veprën e Plotë të Joseph Ratzinger-it edhe pse botimi i përveçëm i vëllimeve është
bërë gjatë papnimit të Benediktit XVI. Vetë autori, në parathënien e librit të parë,
sqaron arsyet prej të cilave kanë buruar tre vëllimet. Këta, thotë vetë Ratzinger,
“Nuk janë në asnjë mënyrë akt magjisterial (mësuesia zyrtare e Kishës), por vetëm
shprehje e hulumtimit tim personal mbi ‘fytyrën e Zotit’.” Më tej udhëzimet e botuesit
saktësojnë se “në krahasim me botimet e mëparshme të vëllimeve të veçanta të trilogjisë,
të gjitha citimet e Biblës në italisht janë përshtatur me përkthimin zyrtar të Biblës,
të Konferencës Ipeshkvore Italiane të 2008”. Në parathënie shkruhet edhe: “Me tre
librat t tij mbi figurën qendrore të fesë sonë, Joseph Ratzinger / Benedikti XVI ka
hapur një debat mbi Jezusin e Nazaretit që do të zgjasë për shumë kohë. Ndërsa Imzot
Myler shkruan: “Vështrimi i thellë gjashtëdhjetëvjeçar, shpirtëror e teologjik në
rrafshin e tematikave kristologjike, nxjerr në pah, në veprën teologjike te Joseph
Ratzinger-it, vijimësinë e mendimit të tij.