2013-11-22 14:01:40

Papa Françesku: në tempull nuk shkohet për të kremtuar një rit, por për të adhuruar Zotin


Tempulli është vend shenjt, ku nuk shkojmë thjesht për të kremtuar një rit, por për të adhuruar Zotin. Ky ishte pohimi themelor i Papës Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Papa e vuri theksin edhe mbi njeriun që, si “tempull i Shpirtit Shenjt”, është i thirrur ta ndjejë në thellësi të shpirtit Zotin, t’i lypë ndjesë e ta ndjekë pas përvujtërisht.

Tempulli është shtëpia prej guri, ku populli kujdeset për shpirtin, para Zotit. Por tempull i shenjtë është edhe korpi i çdo njeriu, ku Zoti flet e zemra dëgjon. Papa e shtjelloi homelinë rreth këtyre dy përmasave, që shkojnë paralelisht në jetën e krishterë. Shtytjen e mori nga fragmenti liturgjik i Besëlidhjes së Vjetër, në të cilin Juda Makabe shuguron rishtas Tempullin e rrënuar nga luftërat. Tempulli, vërejti Papa, është vend, ku bashkësia, populli i Zotit, gjen mbështetje shpirtërore, ku shkon për shumë arsye, një nga të cilat, shpjegoi, ua kalon të gjitha të tjerave:
Tempulli është vendi, ku bashkësia shkon të lutet, të lavdërojë Zotin, ta falënderojë, por, mbi të gjitha, ta adhurojë: në Tempull adhurohet Zoti. E kjo është gjëja më e rëndësishme. Ka vlerë themelore edhe për kremtimet liturgjike: cila është gjëja më e rëndësishme në këtë kremtim liturgjik? Këngët, ritet, të bukura, të gjitha… ? Më i rëndësishmi është adhurimi: mbarë bashkësia, me radhë të shtrënguara, ia ngul sytë elterit, ku kremtohet flia dhe e adhuron. Por, unë besoj, dhe e them këtë përvujtërisht, se ne, të krishterët, ndoshta e kemi humbur paksa kuptimin e adhurimit. Mendojmë: të shkojmë, pra, në Tempull, të mblidhemi bashkë, si vëllezër, kjo është gjë e mirë, e bukur, por qendra është atje, ku është Zoti. E ne adhurojmë Zotin”.
Nga ky pohim lind menjëherë pyetja: “Tempujt tonë, pyeti Papa Françesku, a e nxisin adhurimin? Kremtimet tona, a e ndihmojnë adhurimin?”. Jezusi, kujtoi Papa, duke cituar Ungjillin e sotëm, i dëbon tregtarët, që e kishin kthyer Tempullin në treg. Në vend që të adhuronin Zotin, interesoheshin vetëm për të shitur e për të blerë, për të fituar, jo për të adhuruar. Zoti i tyre ishte paraja. Kishin harruar se ka edhe një tempull tjetër, një vend tjetër të shenjtë, që duhet të zërë kryet e vendit në jetën tonë të fesë:
Shën Pali na kujton se ne vetë jemi tempuj të Shpirtit Shenjt. Unë jam tempull. Shpirti i Zotit është në mua. E na thotë edhe: ‘Mos e trishtoni Shpirtin e Zotit, që është në shpirtin tuaj!’. E edhe këtu - ndoshta nuk mund të flasim si më parë për adhurim të mirëfilltë – jemi para një lloji tjetër adhurimi, atij, që është zemra, e cila e kërkon Shpirtin e Zotit brenda vetes, e di se Zoti është brenda saj, se brenda saj është Shpirti Shenjt. E dëgjon dhe e ndjek”.
Natyrisht, për të ndjekur Zotin, duhet të pastrohesh vazhdimisht, sepse jemi mëkatarë, ripohoi Papa Françesku. E më pas nënvizoi përsëri me forcë: “Duhet të pastrohemi me lutje, me pendesë, me Sakramentin e Rrëfimit, me Kungimin Shenjt”. E kështu, në këta tempuj, në tempullin material, vend adhurimi e në tempullin shpirtëror, brenda nesh, ku banon Shpirti i Zotit, në këta dy tempuj, pra, përfundoi Papa, sjellja jonë duhet të jetë sjellje e njeriut në kërkim të mëshirës, njeriut, që adhuron, që dëgjon, që lutet e lyp falje, që e lumnon Zotin:
“E kur flitet për gëzimin e tempullit, flitet për këtë: është mbarë bashkësia në adhurim, në lutje, që falënderon e lavdëron Zotin. Jam unë, në lutje para Zotit, që është në shpirtin tim, sepse jam ‘tempull’. Gati për të dëgjuar, gati për të bërë atë, që më thotë Zoti. Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë vërtetësisht Tempullin, që të mund të ecim përpara në jetën tonë të adhurimit e të dëgjimit të Fjalës së Tij”.











All the contents on this site are copyrighted ©.