2013-11-22 15:13:57

Papa: duhet solidaritet në treg, është urgjente t’u japim punë të rinjve


Tepër shpesh solidariteti në botën e ekonomisë trajtohet si të ishte ndonjë fjalë e ndyrë: kështu pohon Papa Françesku në një videomesazh për Festivalin e Doktrinës Shoqërore të Kishës, i cili filloi dje në Veronë të Italisë, me temë “Më pak pabarazi, më shumë larmi”. Festivali përfundon të dielën. Ati i Shenjtë vë theksin në zhvillimin e harmonishëm të shoqërisë, pa harruar të rinjtë e të moshuarit. Puna i jep dinjitet njeriut, nënvizon Papa, i cili inkurajon ndërmarrjet e përbashkëta, si kooperativat, për krijimin e vendeve të punës.
Për të qenë më konkret kur flet për pabarazinë dhe larminë, Papa Françesku përdor gjeometrinë, sferën dhe shumëkëndëshin. Sfera, sqaron Ati i Shenjtë, mund të përfaqësojë homologimin, sheshimin, siç bën një lloj i caktuar globalizimi, ndërsa shumëkëndëshi, me faqet e tij të ndryshme, përfaqëson larminë e njerëzimit. Njohja e pranimi i ndryshimeve, thekson Papa Bergolio, i vlerëson njerëzit, ndërsa homologimi i tyre i mënjanon, siç do të donte këndvështrimi funksionalist për shoqërinë. Nuk duhet të harrojmë, shton Ati i Shenjtë, se të rinjtë dhe të moshuarit mbartin një pasuri të madhe: të dyja palët janë e ardhmja e një populli:
“Nuk mund të kemi zhvillim të vërtetë, as rritje të harmonishme të shoqërisë, nëse mohohet forca e të rinjve dhe kujtesa e të moshuarve. Një popull, që nuk kujdeset për të rinjtë, për të moshuarit, nuk ka të ardhme. Prandaj, duhet të bëjmë ç’është e mundur, për të shmangur mënjanimin e njerëzve nga ana e shoqërisë e, duhet të impenjohemi të gjithë për ta mbajtur gjallë kujtesën, me sytë nga e ardhmja”.
Papa kujton dramën e papunësisë së të rinjve, duke nënvizar se në disa vende, flitet për 40% të të rinjve pa punë:
“Kjo është hipotekë, hipoteka e së ardhmes. E nëse nuk zgjidhet shpejt ky problem, mund të jemi të sigurtë se e ardhmja do të jetë tepër e brishtë, ose nuk do të kemi të ardhme”.
Papa Françesku përmend më pas kontributin e Doktrinës Shoqërore të Kishës në kohën e krizave ekonomike. U tërheq vëmendjen punonjësve ekonomiko-financiarë, që të mos i shërbejnë vetëm fitimit, të mos bëhen skllevër të parasë:
“Doktrina Shoqërore përmban një pasuri me reflektime e shpresë, edhe sot, në gjendje t’i orientojë njerëzit për të qenë të lirë. Duhet guxim, duhet forca e mendimit dhe e fesë për të qëndruar brenda tregut, të udhëhequr nga ajo ndërgjegje, e cila vë në qendër të çdo veprimtarie, dinjitetin e njeriut, jo idhullin e parasë”.
Nëse e ndihmojmë njëri-tjetrin, vë në dukje Ati i Shenjtë, “puna për të mirën e përbashkët sjell rezultate të mira”. Kur jetohet, Doktrina Shoqërore e Kishës sjell shpresë e forcë për të nxitur, përmes punës, një drejtësi të re shoqërore. Zbatimi i kësaj Doktrine, vazhdon Papa Bergolio, përmban në vetvete diçka mistike. Fillimisht, duket sikur na privon nga gjërat, sepse dalim jashtë rregullave të tregut, por më pas, krijon fitim të madh, sepse na kërkon të merremi me të papunët, me padrejtësitë shoqërore, pa iu nënshtruar botëkuptimit ekonomicist e duke i zgjidhur problemet e shoqërisë:
“Doktrina Shoqërore nuk pranon që fitimet t’u takojnë atyre, që prodhojnë, ndërsa çështjet shoqërore t’i lihen në dorë shtetit, apo shoqatave të ndihmës e të vullnetariatit. Ja përse solidariteti është fjalë kyçe e kësaj Doktrine. Por ne, këto kohë, rrezikojmë ta heqim edhe nga fjalori, sepse është fjalë e bezdisshme, madje, më lejoni të them se është gati ‘fjalë e ndyrë’. Për ekonominë e tregut, solidariteti është gati fjalë e ndyrë”.
Pjesën e fundit të videomesazhit, Papa Françesku ia kushton botës së kooperativave, natyrisht, sipas një këndvështrimi të krishterë. Sipas Atit të Shenjtë, i cili ka pasion për to që nga mosha 18-vjeçare, kooperativa është udha për të krijuar barazi, pa i sheshuar ndryshimet, pavarësisht se ekonomikisht, konsiderohet një rrugë tepër e ngadaltë. Vërtet, pranon Papa, ecën ngadalë, por është e sigurtë:
“Puna është tepër e rëndësishme. Puna e dinjiteti i njeriut ecin krah për krah. Solidariteti duhet zbatuar edhe për të garantuar punën; bashkëpunimi përfaqëson një element të rëndësishëm për të siguruar larminë e punëdhënësve në treg”.
Sot, vazhdon reflektimin Ati i Shenjtë, kooperativat nuk kuptohen si duhet, madje, edhe në nivelin evropian. Por, t’i konsiderosh si koncept të tejkaluar, do të thotë ta varfërosh botën e prodhimit, duke e çuar drejt homologimit, drejt sheshimit të ndryshimeve e të identiteteve:
“Sot, kjo është jashtëzakonisht aktuale dhe e nxit bashkëpunimin të bëhet subjekt, në gjendje të mendojë për forma të reja të shtetit social. Uroj që të mund ta vishni vazhdimësinë me risi. E kështu, i përngjajmë edhe Zotit, që gjithnjë ka ndonjë të papritur, ndonjë të re”.








All the contents on this site are copyrighted ©.