2013-11-22 18:03:33

Kishat lindore: të krishterët e zonës vihen në provë të rëndë nga luftërat dhe mungesa e stabilitetit


Gjeografia e të krishterëve të Lindjes së Mesme ka kufijtë e dramës, kudo të hedhësh vështrimin në këtë çast historik. E vë në dukje Kongregata për Kishat Lindore, në komunikatën përfundimtare të punimeve, që nisën të martën e kaluar e përfunduan sot, në praninë e prijësve më të lartë të riteve të ndryshme të Lindjes katolike.
Të krishterët e Lindjes së Mesme, lexohet në Komunikatën e dikasterit, vihen në prova të rënda, pasojë e luftës në Irak dhe e situatës aktuale në Siri, pa harruar çështjen e pazgjidhur izraelo-palestineze dhe dhimbjet e lehonës të Egjiptit në përpjekjen për të lindur epokën e pluralizmit. Kushtet e rënda, plot vuajtje, në të cilat jetojnë lindorët, gërshetohen me fenomenin e hidhur të emigracionit që, si dje, ashtu edhe sot, i shtyn shumë nga katolikët të shkulen nga trojet e veta, për të zënë rrënjë, me mundime të mëdha, në Veri e Jug të Amerikës, në Kanada e Australi. Lind, kështu, nevoja, që krerët e Kishave patriarkale dhe kryeipeshkvnore të jenë realisht, nënvizohet, kudo jetojnë bijtë e tyre, sot shumë larg kufijve, të cilët i konsiderojnë ‘të tyret’, në sa vijojnë të ruajnë traditat e disiplinat e veta. Kjo situatë, vuri në dukje, gjatë Plenares, nevojën për krijimin e strukturave përkatëse administrative kishtare, në kontekstin e ungjillëzimit të ri, për të gjallëruar jetën e bashkësive të shumta në vendet perëndimore, sipas traditave të tyre shpirtërore e liturgjike.

Në komunikatën përfundimtare bëhet fjalë edhe për përmasën ekumenike, në kontekstin e së cilës urohet të jetë gjithnjë e pranishme fryma e vëllazërisë së vërtetë dhe e pajtimit, për krijimin e së cilës duhet durim, sepse shumë nga vendet lindore janë ende plot me plagë të vjetra, hapur nga regjimet ish-sovjetike, por edhe me plagë të reja, të kohëve tona.
Përsa i përket dialogut ndërfetar, Kishat lindore nënvizojnë se duhet jetuar duke dëshmuar dashurinë e krishterë në fushën e asistencës e të edukimit, për të mirën e të gjitha Kombeve, në të cilat të krishterët janë qytetarë ab origine, që nga zanafilla e ungjillëzimit, para popujve e konfesioneve të tjera fetare.Plenaria pati në qendër të vëmendjes edhe një reflektim kushtuar Koncilit II të Vatikanit, një gjysëm shekulli pas përfundimit. U vu në dukje, posaçërisht, vlera e larmive në unitetin e Kishave Lindore me ipeshkvin e Romës, parë si shembull i një pasurie, drita e së cilës nuk duhet errësuar, por duhet bërë më ndriçuese, duke u njohur gjithnjë më shumë nga bijtë e lindjes e edhe nga barinjtë e besimtarët latinë. Plenaria preku edhe temën e sinodalitetit, shumë e theksuar në traditën lindore, që duhet parë si metodë pune, gjithnjë në dialog të frytshëm me Bariun Universal, gjë Papa Françseku e vuri posaçërisht në dukje, në audiencën e djeshme me pjesëmarrësit.







All the contents on this site are copyrighted ©.