2013-11-22 14:59:15

Hapet viti i OKB-së për Familjet e bujqve


“Duhen vlerësuar dobitë e pafundme që i sjell familja rritjes ekonomike, shoqërore, kulturore dhe morale të mbarë bashkësisë njerëzore”. Kjo është thirrja e Papa Françeskut në fund të audiencës së përgjithshme, duke kujtuar hapjen e Vitit ndërkombëtar të Familjeve të bujqve më 22 nëntor, të shpallur nga Kombet e Bashkuara. Për të folur rreth problemeve dhe nevojave të familjeve dhe të bashkësive bujqësore, nga të cilat është frymëzuar kjo nismë, Radio Vatikani ka intervistuar sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës Ndërkombëtare Bujqësore Katolike Vincenzo Conso:

Bëhet fjalë për përcaktimin e rolit dhe të mundësive të bujqësisë familjare brenda procesit që përfshin të gjithë botën fshatare: atë të bashkëpunimit, për shembull, ose atë të zhvillimit dhe të luftës kundër urisë. Duhen prekur edhe tema ,si ushqimi, nën dritën e ideve dhe të betejave që janë zhvilluar gjatë këtyre viteve. Besoj se kjo nismë është një nevojë që e kanë ndjerë të gjithë, veçanërisht disa grupe nga shoqëria civile, që kanë shtyrë në këtë drejtim. Me ta është bashkuar Shoqata e Bujqve Katolikë. Kryetari i atëhershëm, kiliani Emiliano Ortega Riquelme, ka lëvizur në këtë drejtim nëpërmjet rrjetit të Forumit botëror të bujqësisë.
Cilat janë mundësitë që ka sot bota e bujqësisë familjare?
Bujqësia familjare mund ta ndihmojë rritjen e prodhimit bujqësor në mënyrë të qëndrueshme. Në këtë kuptim do të mund të prodhonte më shumë ushqim e të jepte më shumë punë, duke e çuar atje ku ka më shumë nevojë: tek popullsitë dhe zonat e prekura nga pasiguria ushqimore dhe në zonat fshatare përreth qyteteve me ekonomi më të mëkëmbur, ku duhet të rikrijohen marrëdhënie dhe ortakëri ekonomike.
Cilat janë problemet e familjeve të bashkësive fshatare, që kanë shtyrë këtë nismë të OKB-së?
Problemet janë të ndryshme, sipas zonave të ndryshme të planetit. Ka probleme, për shembull, për marrjen e kredive, për zhvillimin e arsimit nëpër familjet fshatare; kemi problemin e shpërndarjes së prodhimeve, sepse në disa vende familjet fshatare ndëshkohen nga komercializimi. Është problemi i bashkëpunimit dhe i ngritjes së konsorciumeve. Në fund është problemi i përgjithshëm i formimit, mbi të gjitha në disa zona, kam ndër mend Afrikën dhe disi edhe Azinë, ku duhet ndryshuar mendësia.
Si shoqatë, çfarë prisni nga kjo nismë?
Sipas nesh ky është një rast i jashtëzakonshëm, sepse bujqësia familjare është subjekti qendror i përvojës konkrete tek ne. Besojmë se duhet të vëmë në qendër të çdo gjëje përsiatjen mbi familjen. Për këtë do të na ndihmojë edhe Sinodi i ardhshëm që, rastësisht, do të zhvillohet pikërisht në 2014. Pra duam që familja të dalë në pah si pika qendrore edhe në këtë sektor, në të cilin ka qenë gjithmonë mbartësja parësore e vlerave thelbësore, si solidariteti dhe moraliteti.








All the contents on this site are copyrighted ©.