2013-11-22 14:00:59

Benedektinet kamaldoleze dhe përshpirtëria e tyre si murgesha klauzure, në botën e sotme


Papa Françesku vizitoi pra sot, bashkësinë e murgeshave kamaldoleze në Aventin të Romës. Në mikrofonin tonë, abatesha e kuvendit, motër Mikela Porçelato shpjegon se janë përgatitur për të pritur Atin e Shenjtë duke bërë jetën e tyre të zakonshme, me lutje e punë. Jeta e klauzurës, pra e murgeshave që mbyllen në kuvend për t’u lutur për gjithë botën, është konsideruar gjithnjë si vendim i vështirë e radikal. E pyetëm motër Mikelën cilat janë marrëdhëniet e bashkësisë me botën jashtë mureve në kohën e sotme, kur të gjithë kërkojnë të duken, të dalin nëpër gazeta e në televizion për çdo veprimtari. Ja përgjigjia:
Duhet të them se, pas Koncilit II të Vatikanit, koncepti i klauzurës ka ndryshuar sipas Kushtetutave të çdo kuvendi e manastiri. Klauzura ka të bëjë me zemrën, me kujdesin për të, prandaj, duke ruajtur vlerat themelore të ndarjes nga bota, karakteristike për thirrjen, ne kemi menduar se është e nevojshme një përshtatje me kohën. Qëllimi është të mos mbetemi jashtë botës, pavarësisht se nuk jemi të kësaj bote, pra, të hyjmë më thellë në historinë e përditshme, pikërisht përmes kujdesit për vetveten, për zemrën, nga e cila të shkulim rrënjën e së keqes, që banon aty e ta bëjmë këtë me ndihmën e Hirit të Tënzot. Kështu, mund të japim një dëshmi më të vërtetë, pa atë ndarjen e prerë me botën e jashtme. Mendojmë se shërbimi i murgeshave jashtë kuvendit mund të jetë i rëndësishëm për ta bërë më të njohur Fjalën e Zotit, ose për të pritur njerëz për lutjen liturgjike, për t’u shërbyer të varfërve, për të pritur shtegtarët e sidomos, për t’iu përgjigjur çdo nevoje të njeriut të sotëm.
Sapo u zgjodh, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të luten për të. Por, duket sikur jo të gjithë e vlerësojnë sa duhet lutjen…
Epo, sepse lutja është e vështirë: ka nevojë për fenë. Lutja është rrënja, fillesa, origjina e çdo forme të kumtimit të Ungjillit. Nuk është e lehtë gjithmonë, sepse shpesh duam gjëra për vete, në vend që të kemi parasysh Mbretërinë e Zotit. Atëherë, tradita murgare, pikërisht duke bashkuar lutjen me punën e sidomos, heshtjen me vetminë, na jep të kuptojmë sa e rëndësishme është që, para çdo nisme ungjillëzimi, të kujdesemi për vetveten, të mësojmë si ta pastrojmë jetën tonë. Drita është diçka që shndrit nga brenda, nuk vjen nga jashtë. Prandaj, është Krishti ai që duhet marrë në zemër gjithnjë e më shumë nga dita në ditë e pastaj, nga brenda, ky realitet shndrit vetë para botës. Udha e lutjes nuk është e lehtë, pikërisht sepse nënkupton zhveshjen radikale nga uni vetjak. Lutja nënkupton dashurinë, marrëdhëniet e thella me Zotin e kjo largon prej nesh çdo gjë, që na e rrit hijen mbi dhe, që na e shton egoizmin. Pra, lutja e ruan dashurinë, ka nevojë vërtet për besim, fe të thellë.
Nënë Mikela, në kuvendin tuaj ka jetuar motër Nazarena Krota, e cila është mbyllur në lutje për 45 vjet në qelën e vet. Sot, bie përvjetori i hyrjes së saj në manastir, më 21 nëntor 1945. 20 vjet pas vdekjes së saj, më 1990, cila është trashëgimia e kësaj gruaje të veçantë?
Sigurisht që vendimi i saj qe radikal. Imazhi me të cilin e përshkruante jetën e vet ishte ai i farës, i kokrrës së grurit rënë përtokë, e cila, nëse nuk vdes nuk jep fryte, por kokrra mbetet e fshehur me të gjithë potencialitetin e vet. Ajo deshi të rrinte e fshehur gjithë jetën e saj, por edhe pas vdekjes, siç e pati lënë amanet. Trashëgimia që na la është pikërisht jeta e saj: për të, çdo formë thirrjeje, çdo formë marrëdhëniesh me Zotin ishte, para së gjithash, të qenit autentik, me të vërtetën vetjake të secilit. Për të, kjo do të thoshte të hiqje maskën, të cilën e vemë për hir të kushtëzimeve të jashtme. Pra, vlera e parë që na ka transmetuar motër Nazarena është vërtetësia e jetës, e dyta, është dashuria e madhe, që kishte për Kishën në veçanti, por edhe për gjithë botën: për çdo njeri, për të gjithë të vuajturit. Ishte dashuri e gjallë, jo formale. Kam pasur hirin t’i shkoj një herë për vizitë e të flas me të. Mbeta e mahnitur, pasi nga një grua, që rri gjithë ditën e mbyllur, prisja ndonjë fjalë asketike, por fjala, që më tha, ishte dashuria, kjo thirrje e çdo burri dhe e çdo gruaje për dashurinë…








All the contents on this site are copyrighted ©.