2013-11-21 13:25:41

Të përngjamët e Krishtit


(Thotë Hyji): O bir, nëse me të vërtetë dëshiron të bëhesh i shenjtë, pikësynimi yt i fundit dhe më i larti duhet të jem unë. Ky pikësynim do t’i dëlire dashuritë e tua, që tepër shpesh të shtyjnë të merresh vetëm me veten dhe me krijesat. Kjo është gjë e keqe, sepse, kur kërkon vetveten tek gjërat, menjëherë mpakesh e varfërohesh. Gjithçka duhet ta drejtosh para së gjithash drejt meje, sepse gjithçka buron prej meje. Çdo gjë shikoje si diçka që ka dalë nga e mira më e madhe, prandaj gjithçka vështroje në lidhje me mua, që jam zanafilla e tyre. Ujin e gjallë e mbushin tek unë, si tek burimi i gjallë, i vogël e i madh, skamnori dhe i kamuri. [...] Ai që vihet në shërbimin tim, në mënyrë të vetvetishme dhe me liri shpirtërore, do t’i marrë hiret. Përkundrazi, ai që e kërkon nderin dhe lavdinë jo tek unë, por tjetërkund, ai që e kërkon kënaqësinë tek një e mirë e veçantë, nuk do ta ketë gëzimin e vërtetë e jetëgjatë, gëzimin që rrit zemrën. Në të kundërt, do të hasë në shumë pengesa e ngushtica.
Asgjë të mirë nuk duhet ta shikosh si meritë tënden. Asnjë aftësi nuk është meritë e vdekatarëve. Por, prano se gjithçka është e Hyjit, pa të cilin njeriu nuk ka asgjë. Gjithçka është dhuratë e imja; gjithçka duhet të kthehet tek unë dhe kërkoj me forcë, që njeriu të më jetë mirënjohës. Kjo është e vërteta që dëbon çdo mburrje boshe. Kur të vijnë hiri hyjnor dhe dashuria e vërtetë, atëherë do të zhduken smira dhe zemërvogëlsia, sepse dashuria e Hyjit mund çdo gjë dhe i këndell fuqitë shpirtërore. Nëse dëshiron të jesh i urtë, vëre vetëm tek unë gëzimin tënd dhe shpresën tënde.








All the contents on this site are copyrighted ©.