2013-11-21 17:49:04

Papa Takon bashkësinë e filipinasve: Pse-ja është lutja më e dobishme


Sot pasdite Papa Françesku takoi bashkësinë e filipinasve të mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, tek Altari i Shpallje së Fesë. Bashkësia e filipinasve, e udhëhequr nga Ariqpeshkvi i Manilës, kardinali Tagle, u takua në bazilikën e Vatikanit me rastin e bekimit të mozaikut të shën Pjeter Kalungsodit. Gjatë takimit Papa u drejtoi këto fjalë të pranishmëve:
“Falënderoj vëllain tim, kardinalin Tagle, për fjalët plot fe, plot dhimbje, plot shpresë. Gjatë këtyre ditëve edhe unë kam qenë afër popullit tuaj. E kam ndjerë se prova ka qenë e fortë, tepër e fortë. Por kam ndjerë se edhe populli ishte i fortë. Ajo që tha kardinali është e vërtetë: feja ngrihet nga rrënojat. Solidariteti i të gjithëve në momentin e provës. Pse ndodhin këto gjëra? Nuk mund të shpjegohet. Janë të shumta gjërat që nuk mund t’i shpjegojmë. Kur fëmijët fillojnë të rriten, nuk i kuptojnë gjërat e fillojnë t’i bëjnë pyetje nënës e atit të tyre: “Baba, pse? Pse? Pse?”. Psikologët e quajnë “mosha e pse-së”, “mosha e pse-së”. Sepse fëmija nuk kupton… Por, po të jemi të vëmendshëm, shohim se fëmija nuk pret përgjigje nga i ati apo nga e ëma: vjen pse-ja tjetër, e pse-ja tjetër… Në atë pasiguri fëmija ka nevojë që i ati dhe e ëma të shikojnë. Ka nevojë për sytë e prindërve të tij, ka nevojë për zemrën e prindërve të tij. Gjatë momenteve të kësaj vuajtjeje të madhe mos u lodhni kurrë së thëni: Pse?”. Si fëmijët… Kështu do të tërhiqni shikimin e Atit tonë mbi popullin tuaj; do të tërhiqni kah vetja ëmbëlsinë e atit të qiellit. Siç bën fëmija kur pyet: “Pse? Pse?”. Gjatë këtyre momenteve të dhimbjes, kjo forcë le të jetë lutja më e dobishme, lutja e pse-së. Por, pa kërkuar shpjegime. Duhet kërkuar vetëm që Ati ynë të na shikojë. Edhe unë ju shoqëroj, ju, me këtë lutje të përse-së”.








All the contents on this site are copyrighted ©.