2013-11-21 18:37:47

Papa benediktineve: Maria, ikona më shprehëse e shpresës së krishterë


Në një ditë të ngarkuar me veprimtari, Papa Françesku vizitoi sot Kuvendin e Shën Andout Abat në Aventin të Romës, ku u takua dhe u lut me murgeshat benediktine kamaldoleze, në Ditën pro Orantibus, pra në ditën që Kisha ua kushton të gjithë rregulltarëve të klauzurës e atyre, që luten për mbarë botën. Kujtojmë se kjo Ditë u themelua nga Papa Piu XII, më 21 nëntor 1953, në festën liturgjike të Paraqitjes së Zojës në Tempull. Që atëherë, çdo 21 nëntor, besimtarët e krishterë ftohen ta falenderojnë Zotin për dhuratën e jetës kundruese e në veçanti, për të gjithë ata, që në kuvendet e manastiret e botës, i lartojnë Zotit lutjen për ardhjen e Mbretërisë së Tij.RealAudioMP3
Papa Françesku, i shoqëruar nga imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot George Genshvain, prefekt i Shtëpisë Papnore dhe imzot Guido Marini, mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike Papnore, u prit nga Abatesha e kuvendit, motër Mikela Porçelato dhe nga 21 murgeshat e bashkësisë. Ati i Shenjtë këndoi Lutjen e Mbrëmësores bashkë me motrat, sipas rregullës kamaldoleze, mori pjesë në Adhurimin Eukaristik dhe mbajti një meditim, kushtuar kundrimit të Zojës së Bekuar, që e njohu dhe e deshi Jezusin, si asnjë krijesë tjetër, duke bërë vullnetin e Atit. “Kush bën vullnetin e Atit tim, që është në qiell, është për mua vëlla, motër e nënë” (Mt 12,50), kujtoi Papa, duke cituar Ungjillin e Shën Mateut. Me këto fjalë Jezusi na la një mesazh shumë të rëndësishëm; vullneti i Zotit është ligji më i lartë, që e lidh njeriun me Të. E Maria është nëna e shpresës, ikona më shprehëse e shpresës së krishterë, shtoi Papa, duke kundruar, në vijim etapat kryesore të jetës së Zojës së Bekuar: çastin e Lajmërimit të Zotit, Shpellën e Betlehemit, ku Ai lindi në varfëri, Paraqitjen në Tempullin e Jeruzalemit, premtimin se një shpatë do t’ia shporonte tej për tej zemrën, profecinë e shenjës së kundërshtimit, humbjen e rigjetjen e Jezusit në Tempull e përgjigjen e Tij, që i kujton Nënës se po merrej me punët e Atit të vet qiellor.
Përballë gjithë këtyre vështirësive e të papriturave, vijoi të meditonte Papa, shpresa e Virgjërës Nënë nuk lëkundet kurrë.
Grua e shpresës, na mëson se shpresa ushqehet nga dëgjimi, kundrimi, durimi, pritja që të përmbushen kohët e Zotit.
Me fillimin e jetës publike, vijoi Papa, Jezusi u bë Mjeshtër e Mesi; e Nëna e shikon misionin e Birit me ngazëllim, duke e kuptuar, nësa Jezusi bëhet ajo shenjë kundërshtie, që e pati profetizuar Simeoni plak. Papa vijoi kundrimin duke e kujtuar Zojën tek këmbët e Kryqit, grua e dhimbjeve, e njëkohësiht, e pritjes së misterit të madh, që po kryhej, më i madh se çdo dhimbje:
“Edhe Ajo, në këtë çast, do të mund të thoshte, nëse do të kujtonte premtimet e Lajmërimit: 'Kjo nuk është e vërtetë! U gënjeva!'. Po nuk e bëri këtë”.
Prandaj është e Lume, sepse besoi e nga besimi i saj, pa të mungullojë ardhmëria e re! E priti me shpresë të nesërmen e Zotit:
“Shpesh herë mendoj: ‘Po ne, a dimë ta presim të nesërmen e Zotit, apo duam të sotmen, të sotmen, të sotmen? E nesërmja e Zotit është për Të, agimi i asaj dite, e para e javës. Na bën mirë ta mendojmë, në kundrim, përqafimin e Birit me Nënën”.
E vetmja llambë e ndezur mbi varrin e Jezusit, është shpresa e Nënës, që në këtë çast, bëhet shpresë për mbarë njerëzimin. E pyes veten, e edhe ju:
“A është gjithnjë e ndezur kjo llambë në manastiret? A pritet, në manastire, e nesërmja e Zotit?”.
Papa e përfundoi meditimin duke kujtuar se nga kundrimi i Marisë, buron shpresa, që na ndihmon në çastet e errëta, kur besojmë se për ne nuk ka më shpresë. Maria është shpresa jonë, tha Papa, dhe e mbylli meditimin duke iu lutur Zojës së Bekuar të na ndihmojë të gjithëve për ta bërë jetën dhanti të pëlqyeshme për Atin qiellor e dhuratë gazmore për vëllezërit, me sytë e ngulur gjithnjë drejt së nesërmes!
Në përfundim, Papa u takua privatisht me bashkësinë e murgeshave, e cila po sot, kremtoi hyrjen në kuvend të një motre shembullore, Nazarena Krotës, e cila qëndroi për 45 vjet e mbyllur në qelinë e vet, në lutje të vazhdueshme, duke u ushqyer me bukë e ujë e duke fjetur mbi një arkë të thjeshtë, mbi kryqin e Krishtit. Murgeshat i dhanë Atit të Shenjtë letrat, që motër Nazarena i shkruante Atit të vet shpirtëror, mbushur me dëshmi për fenë e saj të fuqishme e për jetën e kaluar në shërbim të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.