U hapën sot punimet e konferencës së XXVIII ndërkombëtare të Këshillit Papnor për
Punëtorët e Shëndetësisë, që trajton temën e shërbimit ndaj të moshuarve dhe të kujdesit
për personat e sëmurë me sëmundje neurodegjeneruese. Në meshën e sotme Imz. Zygmunt
Zimowski, që udhëhoqi kremtimin eukaristik, tha: “Shndërrimet e shoqërisë, në pjesën
e dytë të shekullit të kaluar, veçanërisht në vendet më të pasura, me plakjen e popullsisë,
me rënien rolit mbështetës të familjes në jetën shoqërore dhe mënjanimin e shpeshtë
të të moshuarve, ka sjellë ka sjellë përkeqësimin e kushteve të të moshuarve të sëmurë
dhe ka shtuar tundimet për përdorimin e eutanazisë. Sot jemi lutur me të vërtetë dhe
i kemi bërë thirrje botës t’i thotë ‘jo eutanazisë’, sepse është turpi i kohës sonë”. Imz.
Zimowski kujtoi se, ndërsa dikur pleqëria shihej si “periudhë urtie”, sot shihet si
“faza e perëndimit”. Në një kohë kur kërkohet të jemi prodhues të mirash, rrezikohet
që të moshuarit të fillojnë ta pyesin veten a është ende e dobishme ekzistenca e tyre.
Për të ilustruar vlerën e vuajtjes si dëshmi ndaj Ungjillit, kryetari i dikasterit
të shëndetësisë përmendi shembullin e të lumit Gjon Pali II dhe tha se i moshuari
i sëmurë mund të jetë dëshmitar i vlefshëm i lajmit të mirë. Dhimbja mund ta çojë
njeriun drejt dëshpërimit ose drejt afrimit me Zotin, prandaj, kush merret me përkujdesjen
shpirtërore të të sëmurëve, duhet të jetë në gjendje të tregojë horizontin e shpresës.
Sakramenti i rrëfimi dhe i vajimit janë mjetet konkrete të hirit për rimëkëmbjen e
shpresës së të sëmurëve. Dy janë rreziqet përballë të cilëve gjendemi, kur sëmundja
merr përmasa të skajshme: tepria terapeutike dhe eutanazia. E para ndodh më rrallë
sot dhe Kisha nuk e ka mbështetur asnjë herë, sepse shkon kundër dinjitetit të njeriut
dhe i heq njeriut lirinë që duhet për t’u përgatitur për vdekjen. Kundër eutanazisë
Kisha jep dy përgjigje: nga njëra anë u kujton mjekëve parimin e patjetërsueshëm të
shenjtërisë dhe paprekshmërisë së jetës, nga ana tjetër vë në dukje se kërkesa për
eutanazi vjen ngaqë njeriun e lëshon zemra, prandaj përgjigja nuk mund të vijë nga
teknika mjekësore, por nga teknika e zemrës.